Karabeci i prerë: Më vjen keq, Tirana ka vetëm një rrugë!

0

Erando Karabeci dhe Toni Mauexhe nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin Ardian Mema në takimin kundër Laçit. Kapiteni i bardhebluve, pas miqësores me Dinamon, e shfaqi hapur mërzinë që ka për faktin që nuk mund të ndihmojë ekipin në sfidën me bardhezinjtë të shtunën.

“Normalisht që më vjen keq që mungoj, pasi dihet rëndësia e kësaj ndeshjeje. Vijmë pas një humbjeje dhe normalisht nuk ka rrugë tjetër veç tre pikëve për ne. Kështu që më vjen keq që nuk do jem, por shpresoj dhe besoj se ekipi do ia dalë”, deklaroi Karabeci për “SportEkspres.com” dhe mediat e tjera të pranishme në stadium.

Mesfushori nuk dëshiron ta kthejë kokën pas: “Nuk dua të flas më për ndeshjen me Kastriotin, i përket së shkuarës. Çfarë ndodhi u pa aty. U mundëm me një penallti të paqenë. Janë gjëra që ndodhin në futboll, tani le të shohim përpara”.

Nuk ka shumë kohë që Tirana e mundi Laçin 3-0 në Kupë, por për Karabecin tani luhen 90 minuta të tjera: “Ndeshja nga ndeshja ndryshon, nuk është e njëjta. Gjithsesi synimi ynë i vetëm është që të futemi në fushë dhe të dalim me tre pikët. Nuk ka rëndësi me sa gola fitojmë, mjafton edhe me gjysmëgoli”.

Laçi këtë herë vjen me Sulejman Starovën në stol, ndërkohë që edhe ajo humbje në takimin e Kupës do t’i bëjë atë më vigjilentë. Për Karabecin, në çdo lloj kushti, kjo sfidë është e vështirë. “E thashë edhe më parë, ndryshon ndeshja nga ndeshja. Ajo sfidë ishte për Kupë, kjo për kampionat. Çdo trajner ka filozofinë e vet, edhe trajnerët ndryshojnë. Ndoshta ky punon ndryshe nga trajneri paraardhës, por për ne shkalla e vështirësisë është po e njëjta. E dimë që Laçi është një ekip shumë i vështirë dhe jemi të vetëdijshëm që na pret një përballje shumë e fortë”.

Tirana ka vetëm pesë pikë më shumë se Kastrioti dhe normalisht duhen marrë pikët e duhura që së pari të mos rrezikohet mbijetesa: “I afroheni sërish fundit? Besoj se ka akoma edhe shumë ndeshje. Po të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, me këtë të fazës së tretë, mendoj se nuk do të jetë asgjë e pamundur. Të vazhdojmë me këtë seriozitet dhe këtë përqendrim dhe do arrijmë të marrim rezultate pozitive”.

FLORIAN ALLA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.