Interi dhe Lacio nuk i ndahen Romës, Udineze bëhet qesharake

Pas fitores së Romës,ka ardhur përgjigja e Interit dhe Lacios. Zikaltrit kishin ndeshjen më të ndërlikuar në letër sot, sepse vizitonin Kievon, që lufton për mbijetesë dhe donte të paktën një pikë. Megjithatë, triumfoi Interi 2-1, me golat e Ikardit dhe Perishiçit në minutat 50 e 61. Pa vlerë goli i Kievos në fund, sepse zikaltrit marrin 3 pikë të arta në garën për një vend në Champions.

Ndërkaq, Mauro Ikardi kap kuotën e 26 golave në Serinë A. I fundit interist që e bënte diçka të tillë ishte Anxhelilo, në sezonin 1958/59.

Nuk gabon Lacio, që shpartallon Sampdorian 4-0, me 2 gola nga Imobile, 29 gola në kampionat, një përbindësh i vërtetë. Lacio barazon me pikë Romën dhe shpresat për në Champions sa vijnë e shtohen.

Atalanta e Etrit Berishës ka mundur 2-1 Torinon, në një finale të vogël për Europa League. Bergamaskët edhe këtë sezon po tregohen shumë seriozë dhe tashmë janë ngjitur në vendin e gjashtë, duke treguar se e duan Europën, ndryshe nga Milani.

Qesharake po bëhet Udineze, që sot u mund në shtëpi nga Krotone 2-1. E nisi me gol Udineze, që në minutën e pestë, por heroi i Krotones është sërish Simi, ai që ndali Juventusin, sepse barazoi pas 2 minutash, ndërsa Faraoni shënoi golin e madh të triumfit në minutën e 86-të. 11 humbje rresht nuk janë ende rekord për Udinezen, sepse Breshia humbi 15 në sezonin 1994/95 dhe Benevento 14 në sezonin aktual.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *