Historitë më komike në futboll i ka rusi Kançelskis: Në 1991 nuk e dija te cili Mançester po shkoja

Andrei Kançelskis tani pakkush e mban mend, por në vitet ’90 ka qenë një futbollist i famshëm, i cili ka luajtur me ish-Bashkimin Sovjetik e më pas me Rusinë, ndërsa në nivel klubesh e nisi me Dinamon e Kievit dhe me Shahtarin e Doneckut, para se të kalonte në vitin 1991 te Mançester Junajtid, ku luajti për 4 sezone dhe fitoi 2 herë kampionatin.

Më pas, tek Evertoni, Fiorentina, Gllasgou Reinxhers në Skoci, Mançester Siti e disa klube më të vegjël, derisa mbylli karrierën. Kançelskis është futbollisti i vetëm në histori që ka shënuar në derbin e Gllasgout, Liverpulit dhe Mançesterit, mjafton kaq për ta cilësuar legjendë.

Legjendare janë edhe historitë e tij nga koha kur luante futboll, aq sa ka publikuar edhe një libër që ia vlen të lexohet.

Ja disa nga perlat e rusit, që tashmë është 49 vjeç dhe qenka më i zoti si shkrimtar, sesa si trajner, sepse nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe pas futbollit të luajtur.

“NUK E DIJA TE CILI MANÇESTER PO SHKOJA. Kur shkova në Angli në vitin 1991, askush nuk ma tha emrin e klubit ku po firmosja. Pyeta menaxherin që më çoi dhe ai më tha “Te Mançesteri”. E pyeta te cili Mançester dhe u përgjigj “Nuk e di”. Kur zbritëm në Mançester, më çuan me makinë në Old Trafford dhe aty e kuptova se po shkoja te Junajtid.

KËPUCË EMERGJENCE. Kur takova për herë të parë Aleks Fergusonin, më tha “Nesër paraqitur në stërvitje”. Askush nuk më tha që do dilja direkt në stërvitje, nuk kisha marrë asgjë me vete. Më duheshin këpucë futbolli, dola të blej, por ishin të tmerrshme, nuk më bënin. Luajta shumë keq në një miqësore ditën tjetër, por për fat e kisha firmosur kontratën.

JUNAJTID NUK ISHTE NDONJË EMËR I MADH NË ISH-BASHKIMIN SOVJETIK. Nuk kishte shumë informacion për futbollin anglez kur isha i ri. Natyrisht, e dija kush ishte Mançester Junajtid – Denis Lou, Bobi Çarlton, Met Basby e Xhorxh Best – por në vitin 1991 ishte i famshëm vetëm Liverpuli, sepse po dominonte në Angli. Më pas ndryshoi gjithçka, jam krenar që isha pjesë e Junajtid që solli ndryshimin epokal.

ANGLIA ISHTE SI SHKOLLË. Kishte shumë gjëra për të mësuar: mentaliteti, ushqimi, gjuha, të ngarit në krahun e kundërt të rrugës. Të paktën futbolli ishte njësoj, unë kisha mësuar të luaja te Dinamo Kievi e Valeri Lobanovskit, 4-4-2 me dy anësorë shumë ofensivë, njësoj si Ferguson.

I THASHË FERGUSONIT “BASTARD SKOCEZ”. Asnjë sherr, të sqarohemi. Kur shkova te Junajtid, shokët e skuadrës më mësuan s’i t’i drejtohesha trajnerit në stërvitje, ndërsa unë nuk dija fare anglisht. Ferguson më doli përpara në korridor dhe më tha “Andrej, si po ecën?”. Unë ia ktheva “Pirdhu, bastard skocez!”. Fergi ngriu në vend dhe u nxi në fytyrë, ndërsa nga dhomat e zhveshjes u dëgjuan të qeshurat e lojtarëve. Për fatin tim, edhe Ferguson qeshi…

TITULLI I HUMBUR NË SEZONIN 1991/92. Ishim në krye gjatë gjithë sezonit, por në fund lodhja u ndje dhe lamë pikë kundër Lutonit, Uest Hemit e Liverpulit. Pasi fituam ndeshjen tonë të fundit, Fergusoni erdhi në dhomat e zhveshjes dhe na tha: “Sezon madhështor. Mos u mërzitni, do ta fitojmë titullin sezonin e ardhshëm”. Kishte të drejtë.

DUHEJ TË FITONIM TRIPLETËN NË 1994. Ishte sezon i madh, fituam kampionatin dhe Kupën FA, por humbëm në finalen e Kupës së Ligës kundër Aston Vilës – E mbaj mend mirë sepse dola me karton të kuq për prekje të topit me dorë!

KUR ERIK KANTONA GODITI NJË TIFOZ NË STOL KUNG FU. Heshtje totale. Ishte viti 1995, ndeshja kundër Kristal Palas. Pas gjestit ndaj tifozit, Kantona ishte i dëshpëruar dhe në dhomat e zhveshjes nuk pipëtinte asgjë. Kujt ia mbante të fliste?

KËNGA JONË, NË VEND TË PARË. Nuk jam këngëtar, por kam qenë i pari në renditjen e këngëve më të mira në Angli në vitin 1994. Bëhet fjalë për këngën Come On You Reds (me grupin Status Quo), që e regjistruam me skuadrën, gjë që e bënin shumë klube në atë kohë.

KAM LUAJTUR PËR TRE SHTETE. Isha pjesë e Bashkimit Sovjetik, por në Euro 1992 Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë dhe luajtëm si CIS (Bashkimi i Shteteve të Pavarura), gjithçka e çuditshme, nuk kishim as himn. Më pas duhej të zgjidhja, zgjodha Rusinë para Ukrainës, ku më thanë shumë gjëra të këqija, pasi kisha lindur në Ukrainë. Megjithatë, nuk isha i vetmi, Ukraina nuk luante dot në USA 1994 dhe 6 lojtarë të lindur në Ukrainë zgjodhën të luanin për Rusinë.

UNË DHE BEKAM. U largova në 1995, edhe pse Ferguson u përpoq të më bindte të qëndroja. Gabova, por kur ika unë nisi të luante Bekam. Po të qëndroja, ndoshta askush nuk do e kishte dëgjuar emrin e Bekamit.

GOLAT NË DERBI. Kur ika nga Junajtid, më kërkonte Arsenali, por Junajtid refuzoi prerë, sepse ishte rivali direkt. Shkova tek Evertoni dhe dy golat e parë që shënova erdhën në Anfield, në derbi. Kam pasur fat, kam shënuar në derbit e Mançesterit, Liverpulit dhe Gllasgout.

TITULLI ME REINXHERS. Në vitin 1999 e fituam titullin në Celtic Park, ishte çmenduri, një festë pa fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *