Kapiteni i PSG-së u kujton të gjithëve përmbysjen ndaj Barçës, Markinjos beson: E dimë që mund ta bëjmë

Markinjos ka mbetur i zhgënjyer nga humbja 1-0 në Dortmund në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Kapiteni i PSG-së ka deklaruar për mediat pas ndeshjes se në këto nivele diferencën e bëjnë detajet. Mbrojtësi brazilian beson se skuadra e tij do të përsërisë atë që bëri kundër Barcelons, të përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit.

“Na munguan golat. Ne pësuam nga një element mbi të cilin kishim punuar, me këtë situatë në thellësi. Detajet bëjnë diferencën në këtë nivel. Në pjesën e dytë patëm shumë raste. Ishte një ndeshje e hapur me dy skuadra që donin të luanin në sulm, dy skuadra që u pëlqen të kenë topin. Në pjesën e parë ishim dobët, shumë të dobët. Ishim më mirë në pjesën e dytë. Arritëm t’i bënim presion, krijuam më shumë raste. 1-0, do ta sjellim në Paris këtë disfatë. Ne e dimë se mund ta bëjmë (përmbysjen), e kemi treguar tashmë. Do të duhet të punojmë shumë, të shohim se çfarë mund të përmirësojmë këtë javë. Trajneri do të na tregojë gjërat që nuk i kemi bërë mirë”, është shorehur Markinjosi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/