“E dinim ç’do bënte Dortmundi, na e përsëriti trajneri gjithë javës”, Hakimi kërcënon gjermanët: Do të jetë ndryshe në Paris

Açraf Hakimi është larguar i trishtuar nga fusha e lojës pas humbjes 0-1 nga Borusia e Dortmunidt në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Mbrojtësi maroken ka thënë për “Canal+” se lojtarët e PSG-së e kishin të qartë strategjinë e verdhezinjve, por nuk ia dolën dot t’i mposhtnin. Megjithatë ai duket i bindur në një përmbysje në “Parkun e Princave” në Paris.

“Jemi shumë të trishtuar për rezultatin. Ne i humbëm rastet në pjesën e dytë. E dinim se çfarë do të bënin, me topa të gjatë. Ne ishim shumë të përqendruar, trajneri na e përsëriti gjatë gjithë javës. Ne dominuam gjatë gjithë ndeshjes… Tani do të pushojmë dhe do të mendojmë për ndeshjen e kthimit. Në shtëpi do të jetë ndryshe me tifozët tanë në stadiumin tonë. Kjo është e sigurt. Ne do të kemi besim të plotë, në ndeshjen e kthimit do të funksionojë”, ka deklaruar Açraf Hakimi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/