Halilaj “tremb” vlonjatët: Flamurtarin e adhuroj, por nesër fiton Kukësi

0

Kategoria Superiore nis sot ndeshjet e javës së 20-të të saj, ku në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë luhet ndeshja më e veçantë e kësaj jave, Tirana-Teuta. Por për Argent Halilaj kjo javë e Superiores ka edhe një ndeshje të veçantë, Flamurtari-Kukësi dhe për SportEkspres.com ai deklaron se do të jetë një sfidë e bukur, ndërsa e mendon Kukësin fitues.

Ndërkohë që për takimet e tjera të javës së 20-të, Halilaj veçon si më kryesoren përballjen Tirana-Teuta. Partizanin e mendon fitues me Kamzën dhe po kështu Laçin me Luftëtarin. Në ndeshjen Kastrioti-Skënderbeu, ish-gardiani i Kukësit e Flamurtarit mendon një rezultat surprizë, të cilin e shikon mes barazimit dhe fitores së Skënderbeut.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Duke qenë sot lojtar i Orikumit në Kategorinë e Parë, si e keni ndjekshmërinë e Kategorisë Superiore?
-Unë vazhdoj të jem i lidhur me Kategorinë Superiore, jo vetëm se aty kam shumë shokë e miq, por edhe për faktin se jam profesionist dhe futbolli elitar është detyrim që të ndiqet në ritmikën e tij. Luajta për gjashtë sezone në Superiore dhe është e vështirë të jem jashtë saj.

Faza e tretë ka zhvilluar një javë, sot luhet e dyta (e 20-ta). Si ka nisur kjo gjysma e dytë e këtij sezoni për Superioren?
-Mendoj se luhajtjet që treguan disa nga skuadrat në ndeshjet e javës së 19-të erdhën nga ngarkesat fizike që kishin marrë në fazën përgatitore. Nuk u përshtatën mirë në lojë. Më çuditi Luftëtari me atë humbje, ndërsa Kastrioti tregoi se ka shumë për të dhënë.

Po skuadrat e tjera, çfarë kanë treguar më shumë në javën e parë të fazës së tretë?
-Edhe pse barazuan mes tyre, unë mendoj se Kukësi e Laçi do jenë dy skuadra pretendente për kreun e renditjes. Me barazimin 1-1 në Durrës, Flamurtari tregoi se ka ende vlera për të kërkuar zonën e Europës. Kurse Teuta mbetet një skuadër e mirë, simpatike dhe pretendente e denjë.

Java e 20-të ka një përballje të veçantë për ju, Flamurtari-Kukësi. Emocionalisht si do e përjetoni?
-Emocionet natyrisht që janë të mëdha për mua, duke qenë se kam luajtur në Kukës e në Vlorë. Do të jem në këtë sfidë, sepse e mendoj interesante, sepse jam vlonjat dhe e adhuroj Flamurtarin. Edhe kur unë luaja me Kukësin, ecurinë e Flamurtarit e ndiqja në çdo kohë.

Mes nostalgjisë dhe realitetit të të dyja këtyre skuadrave, si e parashikoni sfidën Flamurtari-Kukësi?
-Për mendimin tim, kjo ndeshje nuk do të ndahet në barazim. Por nisur nga realitetet e dy skuadrave, Kukësi del i fituar në këtë sfidë. Flamurtari ka shumë probleme dhe ato do të kenë ndikim te kjo ndeshje. Kukësi ka skuadër të konsoliduar dhe me elementë shumë cilësorë.

Nga pesë takimet e javës së 20-të, cilën e mendoni si ndeshjen më të veçantë, apo kryendeshje?
-Ndeshja më e fortë e kësaj jave është ajo që do të luhet sot në “Selman Stërmasi”, Tirana-Teuta. Skuadra e Tiranës nuk ka pozicion të mirë në renditje dhe do të kërkojë tri pikët, ndërsa Teuta ka një ekip të mirë. E besoj se do të jetë një ndeshje e bukur, por me Teutën favorite.

Po ndeshjet e tjera, mendoni se do të prodhojnë edhe ndonjë surprizë në rezultate?
-Surprizat nuk mund të ndahen nga futbolli dhe këtë javë në Superiore ndoshta do të ketë. Mendoj se Skënderbeu është më i avantazhuar me Kastriotin, po kështu Partizani me Kamzën. Ndërsa Laçin e mendoj superior të padikutueshëm ndaj Luftëtarit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.