Gjoka: Skënderbeun të mos e shohim nga emri, dua pikë

Teknku kuqeblu i përgjigjet edhe akuzave të Gjicit për favorizim të korçarëve: Nuk dua të hyj në këtë diskutim, detyra ime është një tjetër”

Gasper Marku
Me një përmbysje të orëve të fundit, krejt ndryshe nga sa ishte parapërgatitur e gjithë java, skuadra shkodrane në vend që të ishte duke pushuar në “Gardenland Resort” të Barbullushit duke pritur e qetë dhe me shumë besim dhe entuziazëm ballafaqimin e së dielës në “Reshit Rusi”, është dashur të udhëtojë pasditen e së shtunës drejt Korçës. E akomoduar mbrëmjen e së shtunës në një nga hotelet korçare, skuadra kuqeblu do të zbresë sot në orën 14.00 në stadiumin “Skënderbeu” si udhëtuese e javës së nëntë. Edhe pse në aspektin psikologjik, tek kuqeblutë ka pasur një hendek jo të vogël gjatë dy ditëve të fundit të konfuzionit të fushës se ku do të luhej ndeshja, tekniku Gjoka është përpjekur të mbajë nën kontroll situatën dhe të nxjerrë në fushë sot një skuadër ambicioze dhe të denjë për të përballur korçarët që padyshim janë skuadra më në formë e momentit në kampionatin në shqiptar. Për të gjitha këto, tekniku Gjoka foli me qetësi dhe pjekuri në konferencën për shtyp të dhënë përpara nisjes drejt Korçës në mjediset e Bashkisë Shkodër. Ndër të tjera, atij iu desh të përballej edhe me opinionet e shkrehura nga ish presidenti i tij te Kukësi, sipas të cilit Vllaznia po favorizon korçarët me “OK” e dhënë që ndeshja të luhet në Korçë që ndoshta përgjigja më e mirë për Gjicin por edhe për shumë të tjerë do të kishte qenë që Gjoka të largohej nga Korça me një rezultat pozitiv, për t’i treguar të gjithëve sa vlen në misionin që ka marrë përsipër në drejtimin e bankinës kuqeblu.

Si është gjendja e ekipit para takimit me Skënderbeun?
Ne ishim përgatitur për të zhvilluar ndeshjen në fushën tonë. Kishim bërë edhe strategjitë tona, gjithsesi mendoj se skuadra është në formë të mirë për t’u përballuar pavarësisht se do ta luajmë në Korçë këtë takim.
Sa ka ndikuar zhvendosja e kësaj përballje në Korçë?
Do ta shikoni në fushë. Është tjetër gjë kur e zhvillon ndeshjen në fushën tënde dhe është tjetër gjë kur e luan atë jashtë fushës në një transfertë, e për më tepër në një transfertë si ajo e Korçës. Për më tepër, të luash përballë një Skënderbeu që është një nga ekipet më në formë të kampionatit shqiptar. Nga ana tjetër, një gjë e tillë mund të ketë edhe anën e vetë pozitive sepse në fazën e dytë Vllaznia do të ketë shumë takime në Shkodër dhe ekipi mund të marrë një formë edhe më të mirë. Në pamje të parë kjo duket shumë “OK”. Por ne i shohim takimet një pas një dhe do të kërkojmë që të marrim maksimumin e ndeshjeve që kemi përpara.
Skënderbeu është maja e futbollit shqiptar. Çfarë i duhet Vllaznisë më shumë për të kërkuar një rezultat pozitiv në këtë takim?
Të gjithë ne e njohim mirë ekipin e Skënderbeut. Njihen vlerat e këtij ekipi, megjithatë ne do të shkojmë që të bëjmë lojën tonë, të bëjmë maksimumin tonë. Për të kërkuar, pse jo edhe gjithçka nëse ne jemi të përgatitur psikologjikisht, teknikisht taktikisht, mendoj se mund të arrijmë dhe të mos dalim pa pikë nga kjo fushë.
Mendoni se mund të ndikojë lodhja që mund të ketë ekipi korçar nga ndeshja e mesjavës me Partizanin e Beogradit në transfertë duke qenë një avantazh për Vllazninë?
Skënderbeu është një skuadër e kompletuar duke pasur dy skuadra brenda kontingjentit të tij. Rrotacionet që tekniku Daja ka bërë shpesh me lojtarët e tij në formacionet e Europa Ligë dhe të kampionatit, mendoj se nuk do të kemi përballë një ekip të lodhur.
Në dy takimet e fundit, skuadra që ju drejtoni ka marrë vlerësime pozitive për paraqitjet e mirë në fushën e lojës. Besoni që edhe në Korçë do të vijon në këto paraqitje pozitive?
Ne po punojmë që të vazhdojmë pozitivitetin në punë dhe në fushë, por jo gjithçka bëhet me sustë. Duhet kohë, duhet që skuadra të kuptojë filozofinë e stafit tonë teknik. Është e rëndësishme që skuadra të na ndjek në punën tonë.
Do të ketë mungesa në titullarë para këtij takimi?
Mendoj se stafi e ka përgatitur ndeshjen. Tek ne, nuk kanë rëndësi emrat e individëve, e rëndësishme është që skuadra të jetë e plotë. Unë mund të them se vetëm Bardulla është me probleme dhe është lënë pushim, pjesa tjetër është e gatshme për këtë takim.

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici është shprehur në medien sportive se Vllaznia shikohet si një nga aleatet me Skënderbeun. Cili është komenti juaj dhe a e prishi Vllaznia garën duke pranuar që të luaj në Korçë?
Unë nuk mund të hy në këtë debat se jam një trajner futbolli. Ne mendojmë punën tonë. Ne mendojmë që të ecim përpara dhe të dalim nga kjo situatë në të cilin edhe ndodhemi, kjo gjë nuk më përket mua.
Vllaznia e Gjokës duket më shumë sulmuese, mendoni që ganezi Atsina, do të vazhdojë të shënojë?
Atsina e bëri mirë punën e tij në javën që shkoi kundër Kukësit. Nuk është në gjendjen optimale, pasi vjen nga një dëmtim i plotë dhe përsëri ndjen pak dhimbje. Ai duhet vlerësuar pasi është një djalë që po sakrifikon shumë për të ardhur sa më shpejt në formë. Shpresoj që të vazhdoj të bëj më të mirën.
Do t’ju kënaqte edhe një barazim në Korçë?
Sigurisht që do të jem shumë i kënaqur. E rëndësishme është që ne të jemi të fortë psikologjikisht. Të mos e shikojmë Skënderbeun nga emri, por të kërkojmë që të bëjmë më të mirën përballë tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *