Gjoka me laps e letër: E rëndësishme të mos humbim!

0

Trajneri i Vllaznisë: Finale për ne, por jo përcaktuese. Duhet të ruajmë diferencën me skuadrën e Teutës. Shpresoj të mos ndikojë gjykimi

Gaspër Marku

Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, doli në një konferencë për shtyp para ndeshjes me Teutën. Numri një i stolit foli përpara kësaj sfide, duke theksuar rëndësinë dhe vështirësinë e takimit. Takimi do të jetë një finale e vërtetë mbijetese, pasi një fitore e shkodranëve i shkëput me 6 pikë kundrejt durrsakëve dhe do të kalonin Kamzën me 2 pikë, ndërsa e kundërta do të ndodhte në rast se Teuta fiton. Barazim me pikë dhe Kamza një pikë para. Gjoka ka besim te grupi i lojtarëve dhe mendon se Vllaznia do e kalojë me sukses këtë sfidë.
A është vendimtare sfida kundër Teutës?
– Është një ndeshje e rëndësishme, por sigurisht nuk është vendimtare. Është një ndeshje e rëndësishme për momentin ku ndodhemi, për momentin që po kalojmë dhe kur na duhet të mbajmë larg kundërshtarin që kemi mbrapa. Kjo i jep njëfarë rëndësie dhe ka një angazhim shumë të madh për ndeshjen e nesërme (sotme).
– Nëse fitoni shkoni 6 pikë para Teutës…
– Nuk është vendimtare, për vetë faktin se luhen shtatë ndeshje deri në fund dhe ka sfida në lojë plot. Është vendimtare në këtë situatë, duhet ta mbajmë larg kundërshtarin. Psikologjikisht duhet ta shikojmë jo si një ndeshje që është ky takim dhe mbaron këtu kampionati, ndaj të luhet gjithçka për gjithçka. Është një ndeshje e rëndësishme që e kemi përgatitur me seriozitet dhe qetësi të mundohemi të marrim gjithçka, me kuptimin që mos të dalim me humbje. E rëndësishme është që të mos humbim, pasi ruajmë distancën me kundërshtarin, edhe pse është e vogël, por ka rëndësi, pasi është distancë. Le t’i ngjitim shkallët një nga një, kjo është e rëndësishme.
Kë do të dëshironit gjyqtarë në takim?
– Ka qenë një periudhë e vështirë për gjykimin në kampionatin shqiptar. Shumë skuadra janë ankuar, duke krijuar njëfarë mosbesimi ndaj arbitrave tanë. Por unë mendoj dhe besoj që në këtë sfidë të jetë një nga arbitrat më të mirë të kampionatit shqiptar, të jetë një ndeshje e rregullt sa i takon arbitrimit dhe të fitojë më i miri.
– A keni frikë nga gjykimi?
– Nuk është çështje frike. Ne duhet të shkojmë dhe të marrim atë çfarë do të prodhojmë në fushë. Në qoftë se ndodh kështu, atëherë duhet t’i themi faleminderit, por nëse do të varemi nga gjykimi, atëherë sigurisht që do të jetë e frikshme, por do të jetë edhe një moment i keq për futbollin shqiptar.
A do të rrezikoni me Malotën?
– E provuam, por ka 22 ditë pa stërvitje prej problemeve që kishte, në testet që bëmë nuk mund të ishte në fushë, por do të jetë në stol.
– A besoni se do të qëndroni në Superiore?
– Unë kam besuar që ditën që kam ardhur të Vllaznia, kam kërkuar durim për të ecur përpara. Nuk bëhet gjë me sustë. Me rëndësi është që treni jonë si Vllaznië të ecë dhe të mos ndalojë. Kjo është shumë e rëndësishme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here