FSHF firmos bashkëpunimin, “Kryqi i Kuq” në çdo ndeshje në Shqipëri

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Shoqata “Kryqi i Kuq Shqiptar” nënshkruan sot një kontratë bashkëpunimi për garat e futbollit shqiptar, kombëtare dhe ato ndërkombëtare.

Sipas marrëveshjes në fjalë shoqata “Kryqi i Kuq” do të angazhohet me vënien në dispozicion gjatë ndeshjeve të futbollit të organizuara nga FSHF për Kategorinë Superiore dhe për Ekipin Kombëtar, të ekipeve të ndihmës së parë, të pajisur me uniformën e Kryqit të Kuq, me bazën e nevojshme materiale, si dhe për dhënien e ndihmës së parë për lojtarët, gjatë zhvillimit të ndeshjeve.

KKSH do të vërë gjithashtu në dispozicion të FSHF-së shërbimin e tij të ndihmës së shpejtë, edhe gjatë takimeve ndërkombëtare të Ekipit Kombëtar “A”, apo ekipeve kombëtare U-21, U-19, U-17, U-15, ekipit kombëtar te femrave “A”, U-19 dhe U-17, si dhe skuadrës kombëtare Futsal.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marëveshjes, Presidenti i FSHF-së Armand Duka për këtë bashkëpunim deklaroi: “Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu në formalizimin e një bashkëpunimi që ka vite që është vendosur mes FSHF dhe Kryqit të Kuq Shqiptar. Rritja e standardeve dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kushteve në të cilat do të zhvillohen ndeshjet e ekipit Kombëtar, por edhe të të gjithë skuadrave të tjera në vend, janë në krye të listës së prioriteteve tona, jo vetëm për 4 vitet e ardhshme, por njëherësh edhe pjesë e strategjisë së zhvillimit deri në vitin 2030”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *