Fitore ndaj Napolit, 15-vjeçarët e Juves e festojnë me kore të shëmtuara

Në futboll klubet dhe lojtarët janë të parët që duhet të japin shembull se si duhet respektuar kundërshtari, kushdo qoftë dhe cilido qoftë rezultati në fushë. Me sa duket, jo të gjitha klubet punojnë në këtë drejtim dhe në kohërat moderne sjelljet idiote bëhen shpesh publike për shkak të rrjeteve sociale.

Juventusi U-15 mundi ditët e fundit Napolin në gjysmëfinalet e kampionatit dhe festa pas ndeshjes ishte e ligjshme, por jo koret e përdorur nga djemtë bardhezinj.

Në dhomat e zhveshjes këndohej kori “Napoli, përdor sapunin”, ndërsa një djalosh nga Napoli, Luçiano Pizapia, postoi videon në Instagram.

Videoja bëri xhiron e uebit në Itali dhe djaloshi që postoi videon kërkon falje, por nuk mjafton. Juventusi ka premtuar se do të marrë masa të ashpra ndaj djemve që kanë përdorur kore diskriminuese dhe raciste, ndërsa Federata Italiane e Futbollit e ka dënuar ashpër ngjarjen, duke paralajmëruar se të gjithë protagonistët e ngjarjes do të ndjekin një kurs riedukimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *