FIFA ndryshon rregullat e renditjes, miqësoret nuk do na vlejnë më

Në dekadën e fundit shpesh Shqipëria ka grumbulluar pikë të çmuara për renditjen botërore falë fitoreve nëpër ndeshje miqësore, duke u ngjitur gradualisht derisa arritëm kulmin në Euro 2016, sepse bëmë diçka historike dhe rezultatet ishin të shkëlqyera në miqësore e ndeshje kualifikuese.

Që atehërë kemi nisur zbritjen e pandalshme, ndërsa në të ardhmen do të duhet përqendrim maksimal te ndeshjet kualifikuese, sepse të gjitha, edhe ato në dukje pa vlerë apo me rivalë inferiorë, do të kenë shumë rëndësi. FIFA ka vendosur të bëjë revolucion pas Kupës së Botës, sepse kriteret për hartimin e renditjes së kombëtareve do të ndryshojnë rrënjësisht.

SISTEMI I VJETËR – Deri tani sistemi, në fuqi prej 2006, bazohej te “mesatarja” e rezultateve, pra fitoret në miqësore vlenin shumë për renditjen e përgjithshme dhe mjaftonin 3-4 miqësore të fituara në vit për të ngjitur shumë shkallë.

SISTEMI I RI – Tani e tutje do ekzistojë një koeficient fiks për të gjitha ndeshjet: 0.5 për miqësoret jashtë kalendari, 1 për ato në kalendarin FIFA. Më pas, Nations League dhe turnetë kontinentale do kenë nga 1.5 deri në 4. Në fund, 5 dhe 6 si koeficient për Kupën e Botës (5 për kualifikueset dhe turneun final deri në 1/8-at, 6 nga çerekfinalet e tutje). Koeficienti do të shumëzohet me 1 në rast fitoreje dhe 0.5 për barazimin, por me një algoritëm të veçantë, sepse një fitore në miqësore kundër Maltës nuk do vlejë sa një fitore kundër Spanjës, për shembull.

E ARDHMJA E SHQIPËRISË – Për momentin jemi në vendin e 58-të në botë dhe prej shtatorit do të duhet kujdes i madh, sepse nëse nuk nisim të marrim rezultate në Nations League dhe kualifikueset e Europianit, rënia do të jetë drastike, pak rëndësi ka si sillemi në miqësore. Edhe për Kosovën e njëjta gjë, sepse rritja në renditje falë fitoreve të fundit nuk do të ketë më vlerë, duke qenë se gjithë fitoret e Kosovës janë arritur vetëm nëpër miqësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *