FC United of Manchester, kur populli vendos kundër sovranit!

0

Dikush lind për të jetuar “i lirë”, dikush tjetër për t’u “skllavëruar”.. Por, kur t’i ke në dorë fatin tënd, mund të mos lësh të tjerët ta ndryshojnë… Ju prezantojmë klubin e popullit, për popullin. Aty ku lojtarë, tifozë dhe magazinierë janë “një”. Votojnë të gjithë, fitojnë të gjithë, humbasin të gjithë

Speciale nga Anton Cicani

Bën ftohtë në ato anë… Bën shumë ftohtë. Temperatura shënon -2 gradë celsius, por në “Broadhurst Park” nuk mund të mungojë një gotë birrë, një panine e ngrohtë dhe buzëqeshja. Ah, po! Me shallin trengjyrësh në qafë… “C’mon United! C’mon United!” është refreni i pasdites, teksa ngrica dhe akulli “akomodohen” buzë katërkëndorit të fushës, aty ku vijëzimi, për fat, i reziston kohës, jo si në Kategorinë e Dytë shqiptare.

Mos u mërzisni njerëz, nuk jemi në kategorinë e dytë, por në kategorinë e gjashtë angleze (National League South) dhe skuadra që ka zbritur në fushë e mbështetur nga thuajse 5000 njerëz quhet United of Manchester… Ju ndoshta nuk e dini, por “këta” për të cilët po flasim, e nisën në kategorinë e dhjetë historinë e tyre dhe tashmë synojnë të dalin në sipërfaqe, në kategorinë e pestë, Konferencë, aty ku ëndrra nis të ketë një sirtar dhe ku gjithçka më pas bëhet e mundur…

Sigurisht, nëse ka një drejtësi hyjnore, një ditë do t’i vendosë përballë atyre që urrejnë më shumë, Manchester United… Jo, jo. Inatin dhe zemëratën nuk e kanë me Pogba, Mkitarian, Martial, Ibrahimoviç, Lukaku me shokë…  As me një pjesë të tifozerisë, duke qenë se për “këta”, “ata” janë vetëm spektatorë dhe jo tifozë. Janë vetëm disa që dinë të këndojnë “Glory, Glory Man United” dhe të bërtasin kur shënohet. “Ata” nuk e dinë që “këta” kanë kaluar mijëra peripeci. Nuk e dinë që ky klub lindi nga “xhepi” i tifozëve të vërtetë, i atyre që preferuan ta mbajnë frigoriferin gjysmë bosh në shtëpi dhe të mos i blejnë fëmijëve një lodër më shumë, për të kontribuar në një çështje nderi dhe pasioni: te mbajtja dhe menaxhimi i klubit, për ta paguar rrogat simbolike të futbollistëve.

“Sa herë që FC United of Manchester  zbret në fushë, dërgon në të sëmës futbollin modern!”…  Këtë shprehje e dëgjon shpesh në Veri të Mançesterit, teksa afrohesh për t’u futur në impiantin “Broadhurst Park”, me vetëm 4400 vende dhe që ka kushtuar 6,5 milionë sterlina dhe që më shumë se gjysma e këtij investimi ka ardhur nga… (dëgjoni dëgjoni) tifozët! Po, sepse janë ata pronarët e United of Manchester. Dhe, kur flasim për pronarë, po flasim me dokumente dhe jo me fjalë. Janë aksionerët e klubit

Por, le të ngjitemi pak në makinën e kohës dhe të bëjmë një xhiro në atë që mund të jetë padiskutim edhe zanafilla e gjithçkaje ose asgjëje…

Related image

Futbolli, në qytetin industrial të Mançesterit, ka qenë gjithmonë një marrëveshje klasash… Ose ndryshe, “working class” (në anglisht). Skuadrat e qytetit, United dhe City, ndahen nga përkatësia sociale “drejt të poshtmes”. Për United bëjnë tifo punëtorët, për Cityn ata që nuk janë më punëtorë. Pra, futbolli në Mançester nuk ishte pjesë e borgjezisë. Te United, binte në sy tifogrupi “Red Army”…

Pak komplekse, apo jo? Jo edhe aq, ndiqeni pak mirë historinë. Në zemrën e asaj që ishte një nga zonat më të mëdha antike dhe industriale të Europës, tashmë në rrënoja pas dekadash regresi, mund të jetë e ndërlikuar t’i lësh tifozësh të drejtojë modelin e një futbolli multimiliarder që “ushqehet” me abonime të kripura, stadiume ultra të kushtueshme, ku roja e sigurisë të fik cigaren dhe një parullë apo pankartë është thjesht në dorën e policisë. Por, pse tifozit “normal” e gjitha kjo i duket diçka anormale? Pse ndihet ai një “jashtëtokësor” në këtë kornizë? E thjeshtë: në fillim përgjigjuni ju kësaj pyetje. Si do të ishte një skuadër futbolli pa tifozë?

Related image

Ok, ok… Mjaft e lodhët mendjen, sepse fundja dihet që nuk mund ta imagjinoni dot. As vetë Dante Aligeri, që ka shkruar Komedinë Hyjnore (tre supervëllime, Ferri, Purgatori dhe Parajsa) nuk do të mund të frymëzohej për të shkruar diçka.

Image result for manchester city qatar

Edhe në Mançester, në mes të viteve 2000, mbërritën “tycoon”… Nuk e dini se çfarë do të thotë ky term? Tycoon=Manjatët e Industrisë, personazhe të fuqishme dhe autoritarë…

Të gjithë, duke ndjekur rrugën e Roman Abramoviçit. City përfundon në duart e ish-ministrit të parë tajlandez, Thaksin Shinauatra, ndërsa më pas një ditë zgjohet emiri i Dubait dhe mendon “e pse disa para që çoj për kuaj të gjakut të pastër, të mos blej një klub në Angli?!”. E thënë, e bërë!

Në anën tjetër, United bie në duart e Malkolm Grazer, multimiliarder amerikan që me një borxh prej 320 mln eurosh merr Red Devills, duke i zhytur në borxhe edhe më keq, gati në 1 miliardë euro.

Tifozët protestojnë, nuk duan këtë ngjitje. Kanë frikë dhe e dini pse: “nuk duam që, në një të ardhme, të paguajmë ne arkat e klubit dhe borxhet”. Praktikisht, dashuria për ngjyrat, klubin dhe emrin është më e madhe se sa dyshimi për të fituar shumë trofe.

Image result for united of manchester fc 2005

Një grup i vogël mblidhet në një restorant indian në Rusholme dhe nga aty lind ideja e çmendur: të krijojmë një skuadër të re. “Jeni të çmendur!”, bërtet një nga të pranishmit. “Po, jemi!”… Nis mobilizimi në rrjetet sociale, internet dhe duke përhapur fjalën: kudo. Ideja pëlqehet shumë. “Ne, tifozët, në krye të klubit tonë, të skuadrës tonë, të qytetin tonë!”. Utopi? Po sikur të mos jetë e tillë?

Related image
Fanella debutuese

Në teatrin “Apollo” të Mançesterit, shpresohet që të mblidhen 1000 persona për të diskutuar. Prezantohen thuajse 2000. 900 nga këto nënshkruajnë dhe paguajnë nga xhepi. Mirësevjen në jetë, FC United of Manchester… United në duart e working class…

“FC United of Mançhester është i udhëhequr nga njerëzit, për njerëzit”.

Tani, ju do të thoni: si ia bënë ato 900 burra që të nënshkruanin edhe për rregullat e menaxhimit të klubit? Gjithçka vendoset në demokraci. Çdo tifoz nënshkruan – me 12 sterlina në vit – pjesëmarrjen te United, duke qenë aksioner i një copëze dhe me të drejtë vote në Asamblenë e ortakëve. Asambleja zgjidhet, në dekomraci, nga një “borad” i përbërë nga 11 persona. Të gjithë vullnetarë, pa asnjë kontribut. Dy “punonjësit” e vetëm janë menaxheri i përgjithshëm Endi Ualsh dhe sekretarja e klubit, Lindsi Houard.

  • “Decisions taken by the membership will be decided on a one member, one vote basis”. Njëri vlen tjetrin. Njëri vlen një… Çdo vendim merret me votë demokratike mes të barabartësh.
  • “The club will develop strong links with the local community and strive to be accessible to all, discriminating against none”. Klubi nuk vendos limite dhe kufij diskriminues pjesëmarrje. Siç do të thonin katalanasit, FC United, “mes que un club”.
  • “The club will endeavour to make admission prices as affordable as possible, to as wide a constituency as possible”. Një zgjedhje politike, në sensin e termit. Nuk duhet të ketë tifozë që për shkak të kondicionit ekonomik të mos marrin pjesë të projekti. Klubi është i të gjithëve.
  • “The club will encourage young, local participation —playing and supporting— whenever possible”. Klubi vendos si objektiv pjesëmarrjen më të madhe të së rinjve, në çdo formë, në projekt.
  • “The Board will strive wherever possible to avoid outright commercialism”. Vendimet e bordit nuk duhet të bazohen në praktika komerciale. FC United nuk është firmë apo shoqëri. Por, komunitet futbollistik…
  • “The club will remain a non-profit organisation”. Klubi është i organizuar pa përfitim. Emblematikë e asaj që duhet të jetë një klub futbolli.

Këto janë pikat e manifestit gjatë themelimit. i nënshkruajnë të gjithë (nga tifozët te lojtarët dhe magazinierët). Madje, në vendime dhe votime marrin pjesë edhe futbollistët. Lexojeni mirë, sepse ky është mësim jete dhe barazie: “Të gjithë janë tifozë të FC United. Të gjithë janë pronarë të FC United. Të gjithë propozojnë, vendosin dhe shkarkojnë…”.

Një kuriozitet: për fanellat dhe ngjyrat, pas disa javësh sondazhe, me votim, u përzgjodhën ngjyrat e “fëmijëve” të Met Basbit, ato të viteve ’60, Xhorxh Best, Bobi Çarllton dhe Denis Lau.

Tashmë, FC Unied of Manchester ekziston prej 12 vjetësh… “Ne nuk jemi kundër futbollit modern, ne jemi futbolli modern. Ose, të paktën, si duhet të jetë”.

Tani, të kthehemi te ajo pasdite e ftohtë… Të bashkuar, një familje, fushë, tribunë dhe qytet… Nuk i intereson që disa kilometra larg luhet mes miliardave, lluksit, sponsorëve. Madje, një legjendë urbane tregon se në këto anë u afruan sponsorë të fuqishëm për të hyrë në klub dhe për të derdhur shuma të majme në arka. Përgjigja: “Jo, faleminderit zotërinj! Ja rruga për te “ata”. Do të gjeni gati letrën ku duhet të firmosni kontratat tuaja”.

Related image

Kush ndjek FC United është i lumtur, sepse është në shtëpi, mes miqsh. Çdo ndeshje është një festë, fitohet ose jo. E çfarë rëndësie ka rezultati? Fundja, këtu nuk luhet për trofe, për të fituar para, për të fituar famë. Këtu luhet, sepse njerëzit kanë nevojë të ndjekin një ëndërr, një pasion, një dëshirë. Kanë nevojë të qëndrojnë të bashkuar, një komunitet…

Ah, po! Mbyllje… Sërish…  “Sa herë që FC United of Manchester zbret në fushë, dërgon në të sëmës futbollin modern!”.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.