Ekskluzive/ “Durmishaj më uroi për golin me Shqipërinë”, Din Sula është sulmuesi për t’u mbajtur shënim

0

Nga Klaudio Ndreca

Din Sula mund të quhet një tjetër sulmues që pritet t’i japë shumë Shqipërisë në të ardhmen. Fiziku, nuhatja për të shënuar dhe diferenca që bën në fushën e lojës, janë arma e tij më e fortë për të lënë gjurmë kudo që shkon.

Aktualisht është pjesë e Wasland Beveren, teksa pas një dëmtimi të gjatë që e ka penalizuar jo pak në fillimet e karrierës, nisi që të zinte sërish vendin e titullarit në elitën e Belgjikës. Duke lënë në stol një emër të shumëpërfolur për tifozët shqiptarë, Fiorin Durmishaj. Ky i fundit shkoi në huazim në Belgjikë, por për shkak të hapësirave të munguara, do të largohej para kohe prej andej.

Ndërkohë që Din Sula është aktualisht pjesë e Shqipërisë U-21, ndërsa më herët ka përfaqësuar të rinjtë e Belgjikës. Shpresat janë të mëdha dhe ajo që parashikohet është një karrierë e ndritur për sulmuesin 22-vjeçar që ka ambicie të mëdha për veten. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, tregon pak edhe për diskutimet më Fiorin Durmishaj gjatë kohës kur luanin te Wasland.

Atëherë Belgjika shkoi me mbylljen e kampionatit. E keni vendosur me klubin, si do të bëhet pikësëpari zgjidhja e pagesës, është mbyllur ky diskutim?

Kampionati është mbyllur dhe gjithçka është zgjidhur sipas rregullave të vendosura nga ana e Federatës së Futbollit në Belgjikë. Tani bëjmë planet për sezonin e ardhshëm dhe pse disa skuadra do të kenë mundësinë për të ankimuar verdiktet në gjykatën sportive.

Je një nga sulmuesit më me potencial të Shqipërisë. Ku do të shohim në sezonin e ardhshëm?

Kam edhe një vit kontratë me Wasland-Beveren, kam pasur disa interesime sa i përket shërbimeve të mia. Por ende nuk kemi nisur sezonin tjetër, pra gjithçka mbetet e mundshme.

Planet e tua dhe mendimet për Kombëtaren A. Do të kemi në Air Albania, Din Sulën, brenda pak kohësh?

Për këtë arsye jam duke punuar. Po vazhdoj që të jap më të mirën nga vetja që një ditë të luaj në këtë stadium me Shqipërinë A.

Cfarë ndryshimi ka në emocione mbajtja e fanellës së Belgjikës atëherë dhe tani me Shqipërinë?

Për grupmoshat e reja ka qenë Belgjika që ma kanë dhënë mundësinë e parë. Tani unë e kam bërë zgjidhjen time. Do të vazhdoj që të punoj si zakonisht për mundësitë që do të krijohen.

Te Waslandi kishim Sulën që mori vendin e titullarit dhe të shumëpërfolurin Durmishaj që gjendej në stol. Diskutimet për të janë mbyllur tashmë, por a hapej ndonjëherë tema e Shqipërisë mes jush dhe ishte kurioz për grumbullimet e tua nga Kombëtarja?

Ka qenë një sezon shumë i vështirë për skuadrën tonë. Unë flisja shqip me Fiorinin gjatë qendrimit të tij të shkurtër në Belgjikë. Kam përshtypje dhe mbresa të mirë për të. Kemi diskutuar për grumbullimin e Kombëtares dhe Shqipërisë, madje më ka uruar për golin tim kundër Andorës. Thjesht Fiorini nuk ka pasur fat, ndoshta edhe kampionati në Belgjikë ndryshon nga ai në Greqi. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.