Egnatia sheh përpara: Kohë e humbur të merresh me gjyqtarët

“Disfata me Besëlidhjen nuk na dekurajon. Humbjen në Lezhë e quajmë precedent të fiksuar nga gjyqtari dhe ndihmësit, prej vendimeve ekstreme me penallti e karton të kuq kundër nesh”

Fatmir Efica   

Të dyja ndeshjet e deritanishme të këtij sezoni me Besëlidhjen, Egnatia i ka humbur. “Ndonëse në Rrogozhinë në fazën e parë në humbjen 1-2 Egnatia nuk akuzoi askënd dhe u mor ekzaktësisht me gabimet foshnjarake që kreu në atë ndeshje, për këtë takim të humbur në Lezhë ku ishin gjyqtarët protagonistë, e konsideroj “kohë të humbur” të merremi me gjyqtarët. Ndeshja e së shtunës që lamë pas, në fushë nuk pati diferenca mes ekipeve. Më e pakta për ne ishte marrja e një barazimi. Të gjithë e panë që Egnatia nuk e meritonte humbjen dhe atë ndëshkim të paprecedent që arbitri Muskaj nga kryeqyteti bëri kundër saj. Ishte një penallti inekzistente në favor të lezhjanëve dhe një karton i kuq kundër mbrojtësit tonë Rexhepi që solli si ndryshimin e rezultatit në favor të Besëlidhjes, ashtu dhe prishjen e ekuilibrit numerik për më tepër se 50 minuta lojë”, – tha sekretari i klubit rrogozhinas, Petrit Hazbiu.

BRAZILIANËT – Duke pasur të freskët eksperiencën pozitive të katër lojtarëve nigerianë që kanë luajtur denjësisht në gjysmën e parë të kampionatit, te Egnatia në ndeshjen ndaj Besëlidhjes luajtën edhe dy futbollistët e ardhur diçka më pak se 24 orë para sfidës ndaj lezhjanëve. “Morëm sinjale pozitive nga paraqitja e tyre në pjesën e dytë të ndeshjes, – nënvizoi sekretari Hazbiu. “Si mbrojtësi Aleksander, ashtu edhe sulmuesi Luka Silva, treguan një stil interesant veprimesh. Vumë re teknikë e shpejtësi dhe një qarkullim topi të saktë e pa gabime nga brazilianët, – qartësoi më tej opinionin e tij Hazbiu. “Natyrisht që në takimet e tjera, duke u përshtatur me mirë e më shpejt me grupin, edhe nga dy brazilianët kërkesat tona janë të njëjta si për të gjithë futbollistët e tjerë. Kemi pretendimin e vetëm që të marrim prej tyre kontribut maksimal në ndihmë të një ecurie sa më pozitive në lojërat dhe rezultatet e ndeshjeve të mbetura të këtij sezoni. Humbja në Lezhë nuk është “fundi i fotës”. Ne do të rritemi akoma më shumë”, – tha sekretari i klubit rrogozhinas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *