E rrallë/ Ndeshja ishte kundër Genk, tifozët e Liverpulit shkuan gabimisht te stadiumi i Gent

Dy tifozëve të Liverpool u ka ndodhur një episod aspak i këndshëm dhe deri diku qesharak mbrëmjen e djeshme, kur kishin vendosur të mbështesnin nga afër të kuqtë në ndeshjen që luanin kundër belgëve të Genkut për fazën e grupeve të Champions League.

Por plani nuk ka shkuar ashtu siç dyshja e priste, pasi e gjetën veten në vendin e gabuar. Ngjashmëria e emrave bëri që tifozët e Liverpoolit t’i rezervonin biletat për në Gent dhe jo në Genk ku luhej takimi. Pasi u sollën nëpër qendrën e qytetit në kërkim të stadiumit, e kuptuan se ishin në vendin e gabuar.

Por tashmë ishte tepër vonë sepse këtë gjë e zbuluan vetëm 30 minuta para fillimit të ndeshjes, ndërsa udhtëtimi nga qyteti i Gentit drejt atij të Genkut zgjat rreth 2 orë. Kështu tifozët e të kuqve kanë humbur mundësinë për të ndjekur nga shkallët e stadiumit ekipin e drejtuar nga Klopp.

Ndërkohë, faqja zyrtare e ekipit të Gentit ka postuar në rrjetet sociale se çdo person që i njihte këta tifozë, mund t’u përcillte lajmin se ishin të ftuar në ndeshjen që skuadra e tyre do të luajë në Europa League kundër Wolfsburg. Gjithashtu nuk kanë ngurruar edhe të bëjnë humor, duke shkruar se do t’u sigurojnë disa kurse mbi gjeografinë së Belgjikës./Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *