Donaruma “armik”, tifozët i refuzojnë fanellën

Moment i zi për Xhanluixhi Donarumën, portieri që konsiderohet e ardhmja e Italisë, por që nuk duket e ardhmja e Milanit. Pas ndeshjes së luajtur dje në Bergamo u pa të largohej kokulur drejt dhomave të zhveshjes, në dorë kishte fanellën me numër 99, ajo që pak momente më parë ultrasit e Curva Sud ia kishin refuzuar. Në Bergamo erdhi një tjetër krisje me tifozët, ndoshta përfundimtarja. Gabimet në finalen e kupës u pasuan nga gabimi te goli i Atalantës dhe Donaruma tani është nën akuzë.

“Jo, fanellën tënde nuk e duam”, i thanë Donarumës, ndryshe nga Bonuçi, Romanjoli e Abate. I habitur, Donaruma mori rrugën drejt dhomave të zhveshjes, ndërsa e priste vëllai Antonio. Nuk është çështja te gabimet e ndeshjeve të fundit, ato janë të pranueshme. Janë 6 milionë eurot e kontratës që peshojnë shumë dhe emri i agjentit Mino Raiola është kthyer në një makth për Donarumën, i cili çdo javë del herë te PSG e herë te Juventusi.

Këtë radhë duket se krisja nuk do të jetë e përkohshme, nuk do të mjaftojë ndonjë pritje e bukur apo ndonjë puthje fanelle. Milani e mbron hapur, por tashmë ndoshta duhen bërë llogaritë: 50-60 milionë euro, nëse vijnë, a mund të refuzohen?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *