Dedja nxjerr të palarat e Lushnjës: Klub i shthurur, rënia ishte e parapërgatitur

Trajneri shkodran: Skuadra trajtohet si pronë private. Bëhet për të mbajtur disa të vetëquajtur senatorë, që i kanë plotësuar orët e punës. Pre 6 vitesh nuk afrohet asnjë i ri

Arjan Lika

Hysen Dedja ka dy ditë që ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Lushnjës, pasi ditët e fundit kishte pasur edhe një konflikt me disa lojtarë vendës. Shkodrani nuk e ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen te kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, por tashmë gjithçka është bërë fakt i kryer. Dedja nuk e ka dhënë dorëheqjen për shou dhe nuk ka në plan të kthehet. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, trajneri Hysen Dedja tregon gjithçka ka ndodhur gjatë periudhës që ai drejtonte Lushnjën, duke zbuluar fakte skandaloze për një ekip profesionist futbolli dhe që kanë të bëjnë si me drejtuesit e klubit, ashtu edhe me lojtarët.
– Dedja, prej dy ditësh keni dhënë dorëheqjen nga Lushnja. Pse e morët këtë vendim?
– Dorëheqja ime është e parevokueshme, edhe pse jashtë dëshirës sime. Ato kushte nuk më lejuan ta drejtoj Lushnjën, pa ndërhyrje dhe sipas aftësive të mia profesionale. Lushnjën e adhuroj.
– Çfarë problemesh nuk ju lanë të punonit si duhet dhe a i dinit para se të merrnit drejtimin e Lushnjës?
– Miku im Artur Çobani më propozoi të bëhesha trajner i Lushnjës, pas dorëheqjes së Banos. E prita me kënaqësi këtë ofertë, jo në aspektin e punësimit. E kam thënë dhe më parë se pas Vllaznisë, Lushnja është dashuria ime e dytë. E kam drejtuar dy herë të tjera dhe mikpritja e harmonia me drejtuesit e lojtarët ka qenë e mrekullueshme. Tifozët, me përkrahjen që më kanë dhënë, më kanë bërë të dashurohem me futbollin e Lushnjës. Vetëm në Lushnjë si trajner kam derdhur lot gëzimi. Kur mora drejtimin e Lushnjës, isha koshient për vështirësitë. Pas takimit me drejtuesit e Lushnjës, ju përvesha me optimizëm punës, pasi më premtuan më të mirën e mundshme, sipas strategjisë time dhe pa ndërhyrje në ekip. Gjeta një ekip në gjendje të mjerueshme fizike. Duke parë dëshirën e futbollistëve, kisha besim për të dalë nga kjo gjendje. Sapo mbërrita në Lushnjë, më thanë se ekipi kishte ndërhyrje nga jashtë për të rënë sa më shpejt nga kategoria. Nuk doja t’i besoja këto fjalë. Njerëz pranë ekipit më thanë se Lushnja ka ndikimin e faktorëve të jashtëm te futbollistët dhe se do të bënte 4 humbje radhazi për të dalë nga objektivi i qëndrimit në Superiore. Fatkeqësisht, kështu ndodhi. Ekipi reagonte pozitivisht, por në momente të caktuara toleronte aq sa për ta humbur ndeshjen. Këto fakte më bënë tu besoj fjalëve që kisha dëgjuar.
– Si reaguat më pas?
– Kërkova mirëkuptim nga futbollistët. U bëra të ditur se nuk do toleroja këto gjëra të turpshme në kurriz të skuadrës. Mendova se ia arrita deri diku qëllimit, por gabova.
– A ua keni komunikuar këto shqetësime drejtuesve të klubit?
– Këtë situatë ua kam bërë të qartë dhe ata më premtuan se në janar do më lihej dorë e lirë për afrime dhe largime. Kjo ishte arsyeja që nuk u dorëzova. Në fazën dimërore afrova 5 futbollistë, që për mua duhej të ishin pjesë e Lushnjës, por për çudi drejtuesit jo vetëm që nuk i pranuan, por nuk më lanë as të largoj futbollistët që i konsideroja të padobishëm për ekipin. Pa dëshirën time federuan lojtarë. Larguan të rinjtë Allkanjari, Vodo, Renato Dervishi dhe ndonjë tjetër, që premtojnë për të ardhmen. Nga brenda ekipit kisha sugjerime indirekte për të toleruar në ndeshjet zyrtare, me pretekstin se jemi të dalë dhe luftojmë kot. Ndjeja ftohtësi dhe jo dashamirësi e bashkëpunim nga disa futbollistë dhe ndihmësit e mi. Nuk kishte bashkëpunim dhe harmoni.
– E keni fjalën për debatin e fundit me Byzhytin, Çelën dhe Korreshin?
– Ky debat ishte rrjedhojë e situatës që sqarova më lart. Ishte çdo gjë e parapërgatitur dhe i iniciuar nga njerëz me peshë në ekip. E kisha parandierë këtë situatë dhe kisha kohë që mendoja të jepja dorëheqjen. Pas takimit me kryebashkiakun Tushe, ai nuk ma pranoi dorëheqjen dhe organizoi një takim me futbollistët. Ishte një falsitet, sepse një ditë më vonë ndodhi ajo që ndodhi. Byzhyti, Çela dhe Korreshi kanë komunikuar me mua brutalisht, duke më detyruar të marr vendimin për tu larguar.
– Ju mendoni se një grup futbollistësh, me dirigjim nga jashtë, ndikojnë në lënien e ndeshjeve?
– Kjo gjë dukej nga tifozët dhe më bëri shumë pesimist. Këto gjëra ua kam thënë në sy pjesëtarëve të stafit dhe futbollistëve. Ku është parë dhe dëgjuar që ndihmëstrajneri apo drejtori teknik ti thonë trajnerit: luftojmë kot, jemi të dalë. Isha trajner dhe duhej të merresha edhe me sigurimin e fushës stërvitor, lajmërimin e shoferit të autobusit etj. Aty kisha njerëz të ngarkuar nga kryebashkiaku për t’u marrë me këto punë dhe bënin vetëm rolin e parazitit.
– Tre muaj e gjysmë në drejtimin e Lushnjës, jeni shlyer financiarisht?
– Kam marrë vetëm gjysmën e lekëve të pagës, por është dytësore për mua. Kur firmosa kontratën, nuk e pashë pagën që do të merrja, pasi ndjeva mall dhe nostalgji për të drejtuar përsëri këtë ekip. Këtë dua ta lidh me pretendimet e disa futbollistëve, duke u justifikuar me pagat gjoja të ulëta që marrin nga Bashkia. Është një justifikim qesharak, pasi kur e firmosën atë kontratë, e dinin këtë gjë dhe fare mirë mund të kërkonin një ekip tjetër. Kam vënë re se ky ekip ka vite që është marrë peng nga disa njerëz, të cilët e konsiderojnë Lushnjën si një pronë private, si një lopë për tu mjelë. Jo më kot thashë se te Lushnja ka mbi 6 vite që nuk është afruar asnjë futbollist nga të rinjtë. Diçka që hedh poshtë pretendimet qesharake të drejtuesve të klubit se nuk duhen larguar futbollistët lushnjarë. Kjo bëhet vetëm për të mbajtur disa futbollistë të vetëquajtur senatorë, por që faktikisht nuk vlejë për ekipin. I kanë mbushur orët e punës dhe duhet tu kishin hapur rrugë të rinjve. Vodo, Allkajari, Renato Dervishi, Zhuga, Kaloshi e shumë të rinj të tjerë janë përzënë nga ekipi për këtë arsye.
– Po Dedja, nuk sheh ndonjë gabim në drejtimin 3-mujor të Lushnjës?
– I vetmi gabim i imi është që duhet ta kisha dhënë më parë dorëheqjen, duke bërë publike këtë virozë, që është ulur këmbëkryq prej vitesh në futbollin lushnjar. Kjo ka bërë që tifozët e mrekullueshëm të këtij ekipi të braktisin shkallët e Roza Haxhiut.
Dhe së fundi, nëse kryebashkiaku Tushe do tju kërkonte rikthimin, çfarë do të bënit?
– Do të kthehesha te Lushnja vetëm nëse do të më linin në dorë të zgjidhja ndihmësin tim dhe të mos bashkëpunoja me Altin Hyskon.
Gjithashtu, do të kërkoja largimin nga ekipi të 5 futbollistëve mbi moshë, që për mua marrin kot lekët e taksapaguesve lushnjarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *