De Biazi kthehet në Spanjë, e “rinis” nga djali i Zidanit!

0

Australia, Kina, Japonia? “Jo, faleminderit”, do të thoshte Xhani de Biazi shqiptar, ose më saktë, versioni “Gani Abazi”, sepse ai italian ka thënë që tani “No, grazie!”. Xhani de Biazi do të jetë trajneri i ri i Deportivo Alaveshit, e fundit në renditjen e La Ligas spanjolle, teksa sapo është shkarkuar trajneri Luis Zubeldia. Pikërisht mediet iberike flasin për një akord të gjetur mes ish trajnerit të Shqipërisë dhe skuadrës finaliste të Kupës së Spanjës, sezonin e shkuar. Te Alavesh luan i biri i trajnerit të Real Madridit, Enco Zidan dhe Bojan Kërkiç, teksa nuk ka shënuar asnjë gol në 5 javët e para të kampionatit.

Për De Biazin është një rikthim, në fakt, duke qenë se në sezonin 2007-2008 ka drejtuar Levanten, në një krizë financiare të klubit të Valencias dhe ku ai vetë është dashur të fusë para nga xhepi për të mbajtur ekipin me dieta. Madje, vetëm dy vjet më parë, do të merrte disa rroga të prapambetura.

De Biazi i përgjigjet profilit që klubi po kërkon: nënshtetas evropian, jo spanjoll, me eksperiencë në La Liga dhe aktualisht pa kontratë. Pasi ka stërvitur, mes të tjerash, edhe Torinon, Breshian dhe Udinezen, De Biazi ka jetuar periudhën e tij më të mirë te Shqipëria, që e çoi në një kualifikim historik në Europianin francez. Sipas zërash që vijnë nga Spanja, kontrata e De Biazit vlen deri në fund të sezonit, me opsion për vitin e ardhshëm. Alavesh duhet të zyrtarizojë ardhjen e tij shumë shpejt.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image