Cikalleshi shpëton trajnerin: Golat, për engjëjt e mi!

0

Sulmuesi i kombëtares sonë u fut në pjesën e dytë dje dhe shënoi dy gola që evituan humbjen e Osmanlisporit. “Unë jam gjithnjë gati, çdo minutë dua ta shfrytëzoj”

Viti i ri ka nisur ndryshe për Sokol Cikalleshin, është bërë baba në fund të vitit të shkuar dhe tashmë e ka kuptuar se një gol nuk mjafton më për të përshëndetur familjen e tij. Shënoi dy gola ndaj Beshiktashit në kupë pak javë më parë, shënoi dy të tjerë dje në Gëztepe, në një barazim të çmendur 3-3, ndaj një rivali që luan për Europën. “Golat janë për engjëjt e mi, bashkëshorten dhe vajzën time”, rrëfen njeriu i ndeshjes, i cili pas njërit prej golave vrapoi drejt një prej kamerave në anë të fushës dhe vizatoi një zemër në avullin e xhamit të kamerës. 27-vjeçari është një rast i veçantë, një nga ata sulmues që çdo trajner e preferon, mbi të gjitha për faktin se është gjithnjë gati, edhe nëse e nis nga stoli. Nuk ankohet kurrë, shënon gjithnjë. 13 gola në sezonin 2015/2016 te Bashakshehiri, 10 gola vjet mes Bashakshehirit e Akisarsporit, 6 gola këtë sezon, në rreth 840 minuta futboll. Aspak keq, një gol në rreth 140 minuta dhe imagjinoni sa e vështirë është të jesh gati mendërisht e të ambientohesh menjëherë, duke nderuar ekip kaq shpesh e duke u alternuar kaq shumë mes formacionit e stolit, sidomos në periudhën kur ishte në Stamboll. Këtë sezon e ka penalizuar jo pak një dëmtim i pësuar në vjeshtë dhe klubi në janar ka blerë edhe sulmuesit Batdall. “Pikërisht ai?”, do ketë menduar Cikalleshi, pasi bëhet fjalë për sulmuesin me të cilin luante te Bashakshehir dhe që shpesh nisej sulmues i vetëm në formacion, pasi trajneri preferonte skemë me 1 sulmues, ashtu si bëri dje 50-vjeçari Ërfan Buz. Nëse Osmanlispori mundej, Buz largohej nga puna, por e shpëtoi pikërisht sulmuesi shqiptar, ai që ka mesataren më të lartë të golit në skuadër. Për “Sport Ekspres”, Sokoli ka folur për sezonin e Osmanlisporit, momentin e tij në Ankara dhe të ardhmen…

– Sokol, dy gola në janar Beshiktashit, dy gola edhe Gëztepes. Viti ka nisur me dygolësha…

– Jam i lumtur, mbi të gjitha për faktin se golat në Gëztepe na dhanë një pikë të çmuar, për renditjen dhe moralin. Jemi në një moment të vështirë, siç tregon edhe renditja, ndaj na duhen urgjentisht pikë dhe ky barazim na vlen shumë.

– Ke fituar një 11-metërsh në shtesë dhe ke marrë përsipër shumë, një penallti në minutën e 95-të.

– Nuk është e lehtë, natyrisht, sepse ka shumë tension e përgjegjësi, por unë jam mësuar dhe në përgjithësi një futbollist duhet të ketë guxim në situata të tilla. Isha i bindur se do të shënoja, ndihesha në formë dhe u futa në pjesën e dytë, ndaj kisha shumë energji dhe nuk doja që ndeshja të mbaronte aty.

– E nise nga stoli, e vështirë për t’u përtypur?

– Jo, nuk më rëndon shumë moralisht kjo gjë, përndryshe nuk do të shënoja dy gola. Duhet të jem gjithnjë gati, asnjë klub nuk të mban në ekip me detyrimin për të të hedhur në fushë titullar çdo ndeshje. Unë pata një problem fizik para pak muajsh, që më la jashtë edhe në kombëtare, dhe ishte një hap pas për mua, sepse sapo kisha nisur sezonin, po luaja e po shënoja. Tani po kthehem në maksimumin tim.

– Trajneri me siguri ka qenë më i lumturi për golat e tu.

– Besoj se po, ka qenë edhe ai shumë nën presion, ashtu si ne. Na duhej patjetër një reagim, pasi jemi në zonën e ftohtë dhe nuk po arrijmë të shkulemi që aty. Është një kampionat shumë i vështirë, të gjitha skuadrat kanë lojtarë cilësorë e buxhete të rëndësishëm, ndaj nuk është e lehtë, çdo javë është si një finale. Për klubin do të ishte një katastrofë zbritja nga kategoria, ndaj kemi për detyrë të sigurojmë mbijetesën dhe shpresojmë që javën e ardhshme të kthehemi te fitorja, që do të na lejonte të luanim edhe më të qetë, sepse në një farë mënyre nuk po dalim as në lojën tonë si ekip, për shkak të këtij tensioni nga renditja e dobët.

– E mendon të ardhmen tënde, të paktën personalisht po shkëlqen.

– Shiko, unë jam në sezonin e parë te Osmanlispori dhe nuk ka kuptim të mendoj që në shkurt për të ardhmen. Jam i përqendruar totalisht te sezoni aktual dhe dua të mbijetojmë, pasi ndihem mirë në Ankara dhe dua të qëndroj gjatë te ky klub, që ka besuar shumë tek unë në verë. Vetëm rënia nga kategoria do të ndryshonte shumë gjëra, por për momentin nuk dua ta çoj ndërmend, pasi kam besim se do të mbijetojmë.

– Më i miri në fushë, por ka ardhur Batdall, pikërisht sulmuesi që kishe në ekip te Bashakshehiri dhe ishte zakonisht titullari edhe atje…

– E vërtetë, duket sikur na lidh një fije e padukshme, më është bërë “makth” (qesh). Bëj shaka, ai është sulmues i zoti, sa më shumë të jemi, aq më mirë, sepse sezoni është i gjatë dhe trajneri ka nevojë për alternativa. Rëndësi ka që gjithsecili, edhe ai që luan pak minuta, të përmirësojë diçka në ekip gjatë ndeshjes. Kush e meriton, luan, trajneri e di më mirë këtë gjë.

– Me siguri për golat e tu është informuar edhe trajneri Kristian Panuçi.

– Besoj se po, ai i ndjek të gjithë lojtarët që mund të jenë pjesë e kombëtares. Nëse bëj më të mirën me Osmanlisporin, me siguri do ta bind të jem edhe unë pjesë e kombëtares sonë. Jam gjithnjë gati dhe respektoj çdo vendim të trajnerit, kjo nuk është e nevojshme të thuhet.

Pas golit në shtesë vizatove një zemër te kamera.

– Ishte një dedikim për dy engjëjt e mi, bashkëshorten dhe vajzën e sapolindur. Janë dy, shënova dy gola, isha i detyruar (qesh).

Intervistoi: Blerim Jahaj

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.