Cake-Bardhi-Muçi, e ardhmja e Tiranës duket e sigurt

0

Paraqitja e tre të rinjve në ndeshjen e fundit, por mbi të gjitha edhe një “tabor” me të rinj të tjerë gati për të luajtur, duhet të shkundin bardheblutë, për t’iu larguar filozofisë afrikane

Olsi Avdiaj

Klisman Cake, Patrik Bardhi, Ernest Muçi, por jo vetëm. Jurgen Vrapi, Grent Halili e Albi Doka, tashmë super i konfirmuar. Të gjithë prodhime të Akademisë së Tiranës. Të gjithë me një të ardhme të madhe, e nëse punojnë seriozisht mund të arrijnë nivele të larta te bardheblutë dhe më pas jashtë Shqipërisë. Ky është realiteti më i ri bardheblu. Jo me Afrikanë, por me djem të rinj shqiptarë, që nuk kanë mbushur të 20 vitet, por që mund të luajnë pa problem në çdo skuadër të Superiores dhe Kategorisë së Parë, ashtu siç bënë të shtunën me fanellën e Tiranës. Nëse për Albi Dokën, Grent Halilin, ka kohë, që të qenit lojtar në skuadër është realitet, këtë sezon implementimi i të rinjve në ekipin e parë, por bëhet nga Ze Maria. Edhe pse braziliani ka sjellë të huajt e tij, ai nuk harron të aktivizojë të rinjtë e Akademisë. Pak minuta për të gjithë, kanë bërë që të gjithë të shënojnë gol e të përballen me futbollin e ashpër të Kategorisë së Parë. E nëse këta djem vazhdojnë të paraqiten në të tilla nivele, e ardhmja është e ndritur për bardheblutë.

Klisman Cake

Nga tre të rinjtë që shënoi të shtunën në “Selman Stërmasi”, Cake është më “i vjetri” në ekipin e parë. Prej dy sezonesh luan si bardheblu. Në kampionat, Superiore dhe Kategorinë e Parë është aktivizuar 1337 minuta në 17 ndeshje, duke shënuar edhe një gol. Në Kupë, është aktivizuar 275 minuta në katër takime. Është vetëm 18 vjeç, pasi ka lindur në 2 maj 1999. Mbulon pozicionin e qendërmbrojtësit. Nëse vazhdon me këto ritme e përkushtohet akoma më shumë, me siguri që do të jetë mbrojtësi kryesor i qendrës në të ardhmen e Tiranës.

Patrik Bardhi

Është vetëm 19 vjeç dhe vetëm këtë sezon u bashkua me ekipin e parë. Ka një mesatare të jashtëzakonshme golash për aq sa është aktivizuar. Në katër ndeshje të kampionatit, ku është aktivizuar 105 minuta ka shënuar dy gola. Për një sulmues është jashtëzakonisht shumë. Nuhatës i portës dhe këtë e tregojnë golat me Naftëtarin e Shënkollin. Me këtë ritëm, shumë shpejt mund të jetë një nga titullarët në repartin e avancuar. Kujdes, duhet përqendrim e punë, por talentin e ka, ashtu si edhe shansin e madh, që fatmirësisht po ia jep Ze Maria. Nëse vazhdon të shënojë, mund të jetë një Merkoçi i ri te bardheblutë.

Ernest Muçi

Për ata që nuk e besojnë, Ernest Muçi është vetëm 16 vjeç. Më 19 mars bën 17 vjeç dhe është nga të vetmit lojtarë, që kanë bardheblutë në ekipin e parë, i cili ka lindur pas vitit 2000. Sulmuesi, i cili hyri me “forcë” në ekipin e parë, u pa në një ndeshje të rinjsh. Më pas braziliani e mori me vete në Turqi dhe e aktivizoi në miqësoret e janarit. Në total 86 minuta, dy ndeshje të luajtura dhe një gol i shënuar. Jo pak për një 16-vjeçar që ende nuk e ka nisur tamam futbollin.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.