Austria shkërmoq Shqipërinë, kualifikimi mbetet ëndërr

0

Humbja më e thellë e raundit paraeliminator të Kupës së Botës ka ndodhur dje në Vjenë, teksa kuqezinjtë janë mundur me 34 pikë diferencë

Gjergj Vyshka

Austri – Shqipëri 97-63
(33-19, 15-18, 28-14, 21-12)

Austria: Poltl (18), Ogunsipe (10), Mahalbashiç (25), Laneger, Klepeisz (10)/Shrejner (8), Lameshiç (5), Rados (9), Danek (4), Kramer, Guti, Douvier (8) Trajner: K.Kemzura
Shqipëria: Berdica (3), Hysenagolli (6), Shima (13), Dusha, Mozer (20)/Strazimiri, Merkaj, Kovaçi, Vaqarri, Gjyzeli, Bushati (14), Haruni (7) Trajner: A.Kostantinides
Gjyqtarë: S.Lanzarini (Itali), S.Kuçera (Republika e Çekisë), M.Uehendrik (Estoni)

Austria në basketboll për meshkuj e ka shkërmoqur Shqipërinë, ndërsa kualifikimi për në raundin tjetër të eliminatoreve të Kupës së Botës “Kinë 2019” ka mbetur ëndërr për kuqezinjtë. Sepse me këtë humbje të tretë në Vjenë, më e thella e raundit paraeliminator, kur më parë ishim mundur po nga Austria në Tiranë me 28 pikë diferencë, si dhe nga Holanda në Amsterdam me 14 pikë, kemi vulosur fundin e grupit. Madje nëse do të llogarisim dhe humbjet në miqësore, dy me Kosovën, dy me Armeninë dhe një Kazakistanin, atëherë janë tetë disfata radhazi të kuqezinjve të Kostantinides, të cilët këtë edicion kanë qenë më shumë se sa zhgënjyes. Një kombëtare e vogël për nga mendësia, që bëri shumë pak, ndërsa të tjerët e kanë pasur më të lehtë për ta shkelur me këmbë. Kështu ka ndodhur dhe dje në Vjenë, ndërsa tanët, përtej ndonjë momenti sporadik, nuk kanë lënë asnjë shenjë të mirë. E ndeshja e fundit me Holandën, që do të luhet të shtunën në ora 20:30 në sallën sportive “Feti Borova”, tashmë vlen vetëm për statistikë. Sepse basketbolli i të rriturve sivjet shkoi paralel me të gjitha paraqitjet e kombëtareve të tjera të moshave, që keq apo mirë, e bën nga dy deri në tre fitore. Por kjo e meshkujve si mund të përkthehet kur pretendimet ishin më të mëdha? Kjo është pyetje që Federata Shqiptare e Basketbollit duhet t’i japi përgjigje, aq më shumë që dhe Kostantinides nuk mund të bëjë “ujk” një kombëtare gjysmake…

Ndeshja

Tanët e kanë nisur mirë ndeshjen, sepse një trepikësh i Mozerit na ka dhënë avantazhin 2-3. Më pas një dypikësh i Shimës ka barazuar rezultatin në 5-5. Por vetëm kaq, sepse tanët, edhe për shkak të gabimeve në mbrojtje, lënë shumë hapësira, aq sa Austria shkëputet deri në 13-5. Dhe më pas ka të gjithë komoditetin për të mbyllur periodën e parë 33-19. Dy trepikësha radhazi të Bushatit dhe kemi ngushtuar deri në 33-25. Fitojmë 15-18 periodën e dytë, por në pushim Austria kryeson 48-37. E mandej ajo që i ka vënë vulën shkërmoqjes sonë është perioda e tretë, që vendësit e kanë fituar 28-14 dhe kryesojnë 76-51. 21-12 perioda e fundit dhe Austria ka fituar 97-63, kurse tanët janë detyruar të dorëzohen pa kushte duke mos treguar asgjë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image