Apolonia nuk e ul ritmin dhe i gëzohet zbulimit Mihana

Apolonia e ka lënë pas fitoren e së shtunës së kaluar ndaj Pogradecit dhe po vijon përgatitjet për sfidën e radhës dhe të fundit të këtij kampionati, në Berat me Tomorin vendas. Ndonëse renditja nuk ka më rëndësi dhe sezoni quhet i mbyllur, në Fier po tregojnë seriozitet dhe ndërkohë i gëzohen zbulimit të një tjetër talenti, Redon Mihanës.

Sulmuesi i ri fierak shënoi dygolësh në ndeshjen e kaluar ndaj “liqenorëve” dhe është ngjitur në kuotën e 9 golave në këtë kampionat, shifër e shkëlqyer për një djalosh 19-vjeçar, i cili ka luajtur vetëm 14 herë nga minuta e parë këtë sezon dhe mesatarja e golit është impresionuese.

Për “Sport Ekspres”, Mihana flet për fitoren e fundit, ndeshjen e radhës dhe tregon objektivin personal: “Ndeshja ndaj Pogradecit ishte e vështirë se luanim ndaj një kundërshtari të fortë që ka zhvilluar ndeshje të bukura në këtë kampionat dhe në transfertë. Fillimisht u ndodhëm në pozita të vështira, pasi kundërshtari arriti të shënojë duke shfrytëzuar një mangësi tonën pa u mbushur dy minuta lojë. Reaguam menjëherë pas pësimit të golit, duke krijuar epërsi ndaj kundërshtarit.

“E zhvendosëm lojën në gjysmëfushën liqenore dhe i dhamë asaj karakter tërësisht sulmues. Krijuam raste të pastra shënimi, por nga dëshira e mirë për të shënuar sa më shpejt e për të barazuar rezultatin nxitoheshim e tregoheshim të pasaktë në gjuajtjet tona. Edhe pse nuk e realizuam qëllimin në pjesën e parë, nuk hoqëm dorë nga loja sulmuese dhe në pjesën e dytë dhe arritëm që jo vetëm të barazonim por dhe ta përmbysnim rezultatin dhe ta fitonim takimin. Unë shënova dy gola të barazimit dhe të avantazhit por ato ishin meritë e të gjithë skuadrës që besoi te fitorja dhe luftoi fort në të gjitha aspektet për ta arritur atë. Merita ime është vetëm se konkretizova mundin dhe djersën e shokëve duke e dërguar sferën dy herë në portën kundërshtare.

“Për sa i përket ndeshjes së radhës, dua të them se ne po përgatitemi me kujdes. Synojmë që 90 minutat e fundit të kampionatit të bëjmë një paraqitje dinjitoze me qëllimin që të arrijmë një rezultat sa më të suksesshëm, në mënyrë që të arrijmë fitoren e radhës dhe të ruajmë vendin e tretë në klasifikim që mbajmë aktualisht. Dua të shënoj dhe pse jo ta mbyll këtë sezon, me të paktën 10 gola”, – tha sulmuesi me perspektivë i Apolonisë.

Mikel Mbriçaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *