Apolonia fiton, por Kashami denoncon: Policia po na masakron

0

Fituesi mund të mos gjykohet, por që fituesi ankohet. Kështu ngjan në futbollin tonë. Rasti më i fundit vjen nga Kategoria e Parë, saktësisht nga ndeshja Turbina-Apolonia, e vlefshme për javën gjashtë në grupin B. Kryepankina fierake, Ndriçim Kashami ka pasur kontestime për gjykimin në rastin e një 11-metërshi të akorduar nga gjyqtaria, madje ka tërhequr dhe skuadrën për disa momente. Më pas, ai është ndëshkuar me karton të kuq dhe është shoqëruar me një sjellje aspak etike të forcave të rendit, teksa e kanë larguar nga stoli fierak. Apolonia e ka fituar pastër ndeshjen në “Nexhip Trungu” të Cërrikut, por trajneri Kashami nuk ka hezituar të shfaqë pakënaqësinë e tij si ndaj “xhaketave të zeza”, ashtu dhe ndaj “uniformave blu”.

“Këto të fundit në jo pak raste protagoniste negative të mbarëvajtjes së një ndeshjeje futbolli, sidomos në Kategorinë e Parë e poshtë. “S’e fituam, nuk duhet të heshtim”, thotë trajneri i Apolonisë. – “Futbolli duhet të jetë korrekt, “fair-play” dhe një garë e ndershme, sepse është sport argëtues për publikun. Askush nuk ka të drejtë ta njollosë e të bëhet protagonist i përbaltjes së lojës më popullore në Shqipëri, ca më tepër ata që e kanë për detyrë të garantojnë garë korrekte, ku secila skuadër të marrë atë që meriton. Uroj që të mos ndodhin më fenomene të tilla, në asnjë fushë, ndaj asnjë ekipi dhe nuk do të doja të merresha më me këtë problematikë, pasi jemi të fokusuar te skuadra, përgatitja dhe vijimësia pozitive e saj e jo tek elemente të tilla, që gjithsesi dëmtojnë dhe kompromentojnë imazhin e kompeticionit”.

Ndëshkimet – Përtej dhe përveç rezultatit, ndeshja me Turbinën nuk ka qenë dhe aq e mbarë për fierakët. Një penallti kundër (e humbur nga vendësit), 5 kartonë të verdhë për lojtarët dhe një i kuq për trajnerin Kashami (në Kuçovë pati marrë karton të kuq dhe Mihana). Dhe të mendosh që Apolonia artikulohet si një ndër ekipet më të disiplinuara ndaj kundërshtarit në fushë. Mungesë përvoje, presion i lartë gjatë një ndeshjeje, humbje e kontrollit dhe qetësisë në momente deçizive – elemente të cilave drejtuesit e skuadrës duhet t’u mëshojnë më me forcë, sepse, me pak kurim, Apolonia mund të jetë më premtuese.

Ekip transfertash – Në transfertën e renditjes së grupit B, Apolonia mban vendin e tretë pas gjashtë javëve të para. Vetëm Tirana dhe Bylis, dy ekipet e kuotuara si “kokat” e grupit, janë mbi fierakët. Bardheblutë të padiskutueshëm në ecurinë e tyre, ndërsa mallakastriotët vetëm 1 pikë më shumë. Për hir të së vërtetës, opinioni sportiv ka qenë paksa skeptik se Apolonia mund të ishte këtu, edhe pse nuk janë shumë javë. Por fakti është fakt: Kashami dhe skuadra e tij kanë një ecuri që duhet vlerësuar pozitivisht. Bilanci i 6 javëve të para për Apoloninë është: 3 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje, me golavarazh 9-5 dhe 11 pikë të grumbulluara. Bie në sy fakti se fierakët janë më të suksesshëm në transfertë, ku kanë fituar ndaj Naftëtarit në Kuçovë dhe Turbinës në Cërrik, me të njëjtin rezultat 2-0 dhe kanë vetëm një humbje, 1-3 me Ilirinë. Duket se bardhejeshilët janë disi të kontraktuar në “Loni Papuçiu”, teksa kanë mbetur te fitorja e javës së parë, 2-0 me Shënkollin, ndërsa në dy ndeshjet e tjera, me Pogradecin dhe Shkumbinin, kanë barazuar 1-1.

Javët e mbetura – Tri javët e fundit, Apolonia do të përballet me 3 ndër ekipet më të forta të grupit: Tomorin, Tiranën dhe Bylisin. Por bardhejeshilët kanë vendosur t’i marrin ndeshjet një nga një. Si objektiv, Kashami ka deklaruar pesëshen e parë, por ecuria e deritanishme dhe gjasat janë pozitive. Nëse fierakët fitojnë ndaj Tomorit, mund të parakalojnë edhe Bylisin, që në fundjavë luan në Tiranë me bardheblutë kryesues. Gjithsesi, fierakët nuk bëhen euforikë dhe merren vetëm me llogaritë e vetvetes. Momentalisht, ata janë tërësisht të fokusuar te përgatitjet kundër beratasve, me të vetmin synim fitoren.

Bujar Rama

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image