Anglia buzëqesh, por jo gjithçka shkëlqen

Në Angli e kanë përshëndetur përzemërsisht fitoren e djeshme ndaj Tunizisë, edhe pse suksesi erdhi në fund, kur askush nuk shpresonte më. Tre Luanët luajtën një pjesë të parë të shkëlqyer, në fund e merituan fitoren dhe duhet kujtuar se historikisht Anglia nuk i nis mirë kompeticionet e mëdha, aq sa befason statistika se prej 1950 vetëm 5 herë në debutimet në Europian apo Botëror Anglia e kishte nisur me fitore.

Megjithatë, jo gjithçka ka qenë perfekte dhe ka vend edhe për shqetësim, sipas gazetarëve dhe analistëve anglezë.

SHPËRDORIM QË MUND TË KUSHTOJË SHTRENJTË

Angli sulmuese, e shpejtë, teknike dhe me entuziazëm. Dakord, por si ka mundësi që Sterling, Lingard e Alli janë makina goli në klubet përkatës, me 144 gola në total, ndërsa tek Anglia kanë shënuar vetëm 5 gola në 73 ndeshje në total tek Anglia? Disa gabime para porte ishin në kufijtë e komikes dhe Anglia nuk e ka luksin që të presë vetëm golat e Herri Kejnit.

KEJN DUHET SHËRBYER SI DUHET

Është qartësisht lojtari më cilësor dhe me i uritur tek Anglia. Ambicia e tij është jashtë normales për anglezët, që qeshnin kur ai mundohej të kapte Salah në garën për kreun e golashënuesve, apo kur sulmuesi i Totenhemit tha para ndeshjes ndaj Tunizisë se synonte të shënonte po aq sa Kristiano Ronaldo. E vërteta është se Kejn është lojtari i vetëm që bën diferencën në sulmin anglez dhe thjeshtë duhet shërbyer me shumë e më saktë.

PAKUJDESIA NDËSHKOHET RËNDË

Penalltia e falur Tunizisë është kambanë alarmi. Anglia qartësisht u bë bujare, lejoi Tunizinë të afrohej disa herë rrezikshëm te zona dhe mënyra si Uoker e dhuroi penalltinë ishte shenjë e qartë se lojtarët në atë moment dukeshin të relaksuar tej mase. Ky është problem për Sauthgejt, sepse nëse një ekip modest si Tunizia shënon, imagjinoni në ndeshjet e mëdha

ARBITRI NUK DUHET TË SHËRBEJË SI JUSTIFIKIM

Penalltia dhënë Tunizisë ishte ‘e butë’, ndërsa Jasin Meriah në zonën Tunizinë bënte mundje me Herri Kejnin dhe çuditërisht arbitri nuk përdori të njëjtin metër gjykimi. Megjithatë, kjo nuk duhet të shërbejë si justifikim, pasi Anglia duhej të ishte në avantazh të dy apo tre golave para penalltisë tuniziane, por edhe pas saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *