Ançeloti: Ne anti-Juventusi? Aspak frikë, ky Napoli po më emocionon!

0

Napoli vazhdon punën, ndërsa do të zhvillojë dy ndeshje rresht në shtëpi. Nesër vjen Empoli në “San Paolo”, ndërsa të martën është radha e PSG dhe emocioneve të Champions-it. Karlo Ançeloti ka folur në konferencën për shtyp, duke u ndalur te të dyja sfidat, Edinson Kavani dhe lojtarë të veçantë të ekipit të tij. Ky Napoli i dhuron emocione dhe kjo gjë i mjafton Ançelotit.

ANTI-JUVENTUS – “Ka disa skuadra që aspirojnë t’i ofrohen Juventusit, Inter ka bërë një seri pozitive rezultatesh dhe është ofruar, ashtu si dhe ne. Kjo gjë rrit konkurrencën e kampionatit. Frikë për të qenë anti-Juventus? Nuk bëhet fjalë për frikë, por për përgjegjësi dhe duam të bëjmë maksimumin për të mposhtur një skuadër shumë të fortë. Nëse ia arrijmë të bëjmë më mirë se ata, do të fitojmë kampionatin.”

EMPOLI – “Skuadra ka shumë besim dhe vijmë në këtë ndeshje në gjendje të shkëlqyer. Do të bëjmë një ndeshje të madhe. Të gjithë ndeshjet janë të komplikuara dhe mund të ndëshkohemi nëse nuk përqendrohemi maksimalisht, por djemtë më japin besim dhe siguri.”

ROTACIONI – “Nuk do e ruaj Insinjen për PSG, nëse do të ketë rotacion do e bëj për të futur lojtarë të freskët për këtë ndeshje. Ndeshja me Empolin është më e rëndësishmja dhe nuk mendoj për atë kundër PSG. Do të shihni një Napoli, që luan më shumë intensitet se ndeshjet e kaluara.”

MILIK – “Ai është një sulmues nga i cili priten gola. Po përjeton një periudhë maturimi dhe ka disa mangësi në gjykimin e përgjithshëm. Punoi shumë kundër Romës dhe unë nuk iu kërkoj sulmuesve gola, por të lëvizin në harmoni me ekipin. Nëse nuk shënon, nuk është një problem për mua. Të gjithë duhet të japin më shumë, por jam i kënaqur me Milik dhe Zielinskin.”

FILLIMI I SEZONIT – “Një farë bilanci do e bëjmë pas përfundimit të fazës së parë. Kemi patur një kalendar të komplikuar deri më tani, por nuk është e thënë, sepse ekipe të vogla kanë marrë pikë, si rasti i Spalit në Romë, Parma në Milano kundër Interit. Të gjitha skuadrat kanë karakteristika e duhura për të vënë në vështirësi çdo ekip.”

GJENDJA – “Nuk më pëlqen kurrë të them Napoli im, por nuk e mohoj dot që jam i kënaqur me nivelin e lojës të djemve. Duhet të jemi të përqendruar dhe të vëmendshëm, por skuadra më jep emocione. Shumë gola të pësuar? Mund të përmirësohemi, jemi penalizuar nga 5 golat e pësuar kundër Sampdorias dhe Milanit, por mbrojtja ka punuar mirë.”

MERTENS – “Sulmuesit janë më të lehtët për t’u zëvendësuar. Nëse po fiton, mund të heqësh një sulmues për të futur një më difensiv, nëse po humbet, e ndërron për ta zëvendësuar me një tjetër më të freskët. Nuk vlen sasia e minutave, por cilësia, siç Mertens e bën shpesh. Nuk është e thënë që nuk do të luajë nga fillimi, është në formë, po përdoret pikërisht për këtë gjë, pastaj nëse e nis në formacion, ose gjatë lojës, ndodh për të mbajtur këtë formë sa më gjatë të jetë e mundur.”

DËMTIMET – “Ounas dhe Rog janë gati dhe janë grumbulluar. Luperto do të jetë gati për PSG, Verdi për Xhenoand dhe Merët është pranë rikthimit. Jounes po punon dhe është pak mbrapa në krahasim me Gulam, por është pjesë e skuadrës. Mund të jetë gati në fundin e muajit.”

INDIVIDËT – “Kulibali mbrojtësi më i mirë që kam stërvitur? Vështirë të zgjedhësh treshen e podit. Janë Tiago Silva, Nesta, Ramos, Terri, Stam, Kanavaro, Turam… vazhdojmë? Ndoshta, në këtë moment Kulibali është një nga mbrojtësit më të mirë në botë.”

TIFOZËT – “Kemi luajtur në shtëpi kundër Romës, pastaj Empoli dhe PSG. Janë 3 ndeshje dhe jo të gjithë mund t’i përballojnë gjithë këto ndeshje. Nëse një tifoz zgjedh PSG dhe jo Empolin, kjo është një gjë natyrale. Megjithatë, është e qartë që do të përpiqemi të përmirësohemi dhe t’u japim më shumë entuziazëm tifozëve.”

DËSHIRAT – “Dua të drejtoj një skuadër, që më jep emocione. Kjo gjë po ndodh dhe nuk mund të kërkoj më shumë. Klubi më mbështet, ambienti është i bukur dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu. Si arrin një trajner të bëhet me 3 yje, i vetmi në Itali? Ndoshta ka patur fat…(buzëqesh).”

MERKATO – “Ibra dhe Kavani? Nuk është momenti për të folur për merkato. Është ende herët, ndërsa me Kavanin do të përballemi pas katër ditësh. Do të ishte mungesë respekti të flisnim për të, për respekt të atyre që ndodhën këtu dhe po bëjnë shumë mirë.”

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.