5 milionë euro formacion, njihuni me 11 “xhevahirët” e Superiores

0

“Kukësi e meriton titullin kampion, pasi ka investuar më shumë se të tjerët”. Kështu mendon Safet Gjici, presidenti i verilindorëve, ndërkohë që përgjigja e Olsi Ramës ishte e qartë para disa kohësh: “Safetit ia jap me gjithë qejf trofeun e merkatos”. Vlera më çmimin ndryshojnë, kjo dihet. Është tregu ai që e përcakton të dytën dhe në biznes ka edhe humbje.

Gjici nuk është mësuar kështu dhe ata që punojnë me të e dinë mirë. Kukësi është biznes dhe siç i sjellin drejtorët e bizneseve të tjera para, kërkon edhe nga ata në klub të ardhura. Normale, por sigurisht specifikat janë krejtësisht të ndryshme.

Gjithsesi tema është tjetër: cili është formacioni më i shtrenjtë i Superiores. Transfermarkt.de na vjen në ndihmë me vlerësimet saj dhe SportEkspres.com rreshton ata që vlerësohen më shumë në një modul 4-2-3-1. Shifrat që ofrojnë nuk janë vlera reale e tregut për lojtarët, gjithsesi vlen të merret në konsideratë për të bërë edhe një përllogaritje dhe një rreshtim të më të shtrenjtëve të kampionatit tonë.

Në total i gjithë formacioni kushton 5.05 milionë euro dhe dominojnë Partizani e Laçi, që kanë nga tre futbollistë. Skënderbeu e Kukësi kanë nga dy, kurse nga Teuta është vetëm një. Madje edhe ai ende nuk ka debutuar me durrsakët.

PORTA – Gentian Selmani mbush 21 vjeç me 9 mars, por për të është sezoni i katërt në Kategorinë Superiore. Numëron 107 ndeshje në elitën e futbollit shqiptar, ndërkohë që ka luajtur edhe 10 ndeshje me kombëtaret e moshave. Gjithashtu është grumbulluar me kombëtaren e madhe, por nuk ka pasur mundësinë të luajë.

MBROJTJA – Abdurrahman Fangaj është një nga shumë të rinjtë e Laçit. I formuar te Vllaznia, shkodrani te kuqeblutë luante si mbrojtës i qendre. Tani luan në krahun e djathtë. Aktualisht është titullar i padiskutueshëm i kurbinasve. Këtë sezon ka habitur duke shënuar edhe tre gola. Në tetor ka mbushur 21 vjeç.

Në krahun e majtë dy janë më të shtrenjtët: Lorenc Trashi dhe Esin Hakaj, me të njëjtën vlerë. Shkodrani ka perspektivë, por për momentin lojtari i Partizanit duket më lart. Është lider dhe është pjesë e kryesuesve dhe ekipit që ka pësuar më pak gola këtë sezon në Superiore.

Reginaldo dhe Selmani duke festuar golin e fitore kundër Kamzës (Foto: Petrit Pashollari)

Mbrojtësi më i shtrenjtë është Eglentin Gjoni, 425 mijë euro vlera e kartonit të tij në transfermakt. Shtatlarti, 26 vjeç, po luan sezonin e tretë si titullar me Laçin. Gjatë këtij sezoni ka arritur të jetë i rëndësishëm edhe duke shënuar, pasi ka realizuar tre herë. Së bashku me Ardian Cuculin formojnë dyshen e qendrës së mbrojtjes. Vlera e tij penalizohet nga mosha, ndërkohë që vlerat e tij njihen shumë dhe është e kotë të flasësh.

MESFUSHA DHE SULMI  – Esat Mala është mesfushori me vlerën më të lartë në transfermarkt, ndërkohë që pasohet nga disa lojtarë të tjerë që vlejnë 400 mijë euro. Mesfushori i të kuqve është pa diskutim një nga lojtarët më të mirë të kampionatit dhe luan në disa pozicione. Futbollisti 20-vjeçar është edhe autor i katër golave.

Lojtari tjetër i përfshirë në formacion është Bruno Dita. Mesfushori i Skënderbeut, 26 vjeç, ka shënuar dy gola sivjet dhe ka treguar ndër vite që është një nga mesfushorët më të mirë. Pjesa përpara është e frikshme. Rexhinaldo është sulmuesi më i shtrenjtë i Superiores, 18 golat e sezonit të shkuar me Laçin, por edhe tetë të realizuar me Kukësin, e mbajnë atë në “majë”.

Pas tij Jurgen Bardhi. 21 vjeç, teknik, i shpejtë. Thonë se po e vëzhgon Kievo dhe ky është sezoni më i mirë për të. Pesë gola të shënuar, ka qenë pjesë e Shqipërisë U21 dhe tanimë pret hapin e madh. Kartoni i vlerësohet 600 mijë euro dhe është më i shtrenjti, së bashku me Armando Vajushin. Shkodrani ende nuk ka debutuar me Teutën. Krahu i majtë mbulohet nga Dejvi Bregu, i  ndalur në kuotën e 7 golave në gjysmën e parë të sezonit. Vlonjati është drejt rikthimit dhe Skënderbeu e pret krahëhapur.

VLADIMIR PRENGA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.