Luftëtari i nis përgatitjet me 15 korrik, ndërkohë që ende nuk ka zgjidhur çështjen e trajnerit. Gjirokastritët një ditë më parë njoftuan se shumë shpejt do emërohet edhe kreu i ri i pankinës dhe një nga kandidatët ishte edhe serbi Mlladen Milinkoviç.
Ish-trajnerin e tyre në Gjirokastër duhet ta heqin nga lista, pasi është zyrtarizuar në një tjetër ekip. Serbi ka marrë drejtimin e Sirianskës në Suedi. Milinkoviç do të ketë nën urdhra ish-mesfushorin e Skënderbeut, Benejam Demte, në ligën e dytë suedeze.
Kështu Luftëtari duhet të gjejë një emër tjetër për pankinën. Koha nuk është në favor të bluzinjve dhe presidenti me bashkëpunëtorët e tij duhet të nxitojë dhe të bëjë zgjedhjen e duhur. Vjet gabuan me Milosh Kostiç dhe në Gjirokastër nuk do e donin një nisje të kampionatit sikurse me sllovenin në stol.