Liverpuli ka kompletuar transferimin e egjiptianit Mohamed Salah nga Roma, për rreth 40 milionë euro.
Sulmuesi 25-vjeçar ka kohë që ndiqet nga Liverpuli, që e donte edhe para 3 vitesh, kur humbi garën me Çelsin, por nuk i eci në Premier Ligë.
E kundërta ka ndodhur në Serinë A, sepse Salah ka shënuar 29 gola në 65 ndeshje me Romën dhe ka qenë një nga yjet e futbollit italian. Kjo ka bërë që Jurgen Klop ka kthejë në prioritet blerjen e tij, me synimin për të shtuar shpejtësinë dhe cilësinë në sulm, aty ku janë edhe emra si Firmino, Kutinjo e Mane.
Përveç kësaj, Liverpuli duhet të llogaritë edhe shtimin e ndeshjeve sezonin e ardhshëm, sepse do të marrë pjesë në Champions League, ndaj një lojtar si Salah do të vlente shumë në organikë.
Në kontratë ka edhe shumë klauzola e bonuse, që mund ta çojnë pagesën ndaj Romës deri në 50 milionë euro, një shifër rekord për Liverpulin, por është diçka që paguhet me qejf, nëse vijnë trofe madhorë dhe Salah shkëlqen.