Sabien Lilaj është gati për aventurën e tij të re në Izrael. Mesfushori korçar kishte nënshkruar që më 20 qershor një parakontratë me Sektzia Nes Tziona, ndërkohë që tanimë zyrtarisht është njoftuar nga ana e klubit izraelit që Lilaj do të jetë për dy sezone pjesë e tyre.
Sabien Lilaj kishte marrë një ofertë nga Partizani dhe Kukësi, por e kishte bërë të qartë se dëshironte të vijonte të luante jashtë vendit. SportEkspres.com mëson se bëhet fjalë për një kontratë që kap shifrat e 300 mijë eurove në dy sezone.
Një vit më parë Lilaj la Skënderbeun dhe me ndërmjetësimin e menaxherit Franci Bode u transferua te Gabala në Azerbajxhan. Tashmë ai do të luajë në Izrael dhe kjo është eksperienca e tij e tretë jashtë Shqipërisë. Më parë ka luajtur edhe në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit.
Në Shqipëri ai ka luajtur vetëm me Tiranën dhe Skënderbeun, teksa ka fituar gjashtë tituj kampionë. Mesfushori 30-vjeçar ka qenë një ndër më të spikaturit në Superiore, duke fituar edhe titullin “Lojtari i sezonit”.