Kastrioti ka bërë edhe një tjetër përforcim në merkato. Krutanët kanë zyrtarizuar marrëveshjen me mbrojtësin David Domgjoni, i cili edhe më parë ka qenë pjesë e tyre. Ata e kishin marrë në huazim nga Tirana asokohe.
“David Domgjoni është futbollisti më i ri i Kastriotit. Mbrojtësi 21-vjeçar, ka firmosur ditën e sotme kontratën 1-vjeçare me klubin dhe që sot i është bashkuar skuadrës në stërvitje”, njofton klubi i Kastriotit përmes faqes zyrtare në “Facebook”.
Sezonin e shkuar Domgjoni ishte pjesë e Lirisë së Prizrenit, skuadra e vendlindjes. Si futbollist ai është formuar te Shkëndija e Tiranës. Trajneri Elvis Plori e njeh mirë lojtarin, pasi e ka pasur vetë nën urdhra për gjashtë muaj te Kastrioti. Ai mund të luajë në qendër dhe në të majtë të mbrojtjes. Me të bisedimet kishin nisur prej kohësh, por vetëm sot është konkretizuar gjithçka.