Dinamo po merr formë dalëngadalë. Trajneri Igli Allmuça dhe ndihmësi i tij Julian Brahja, gradualisht po e kompletojnë ekipin para nisjes së edicionit të ri. Skuadra nga kryeqyteti edhe një edicion tjetër do të garojë në Kategorinë e Parë dhe deri më tani duket e vështirë që të pretendojë ngjitje, pasi problemi kryesor mbetet mungesa e një terreni për t’u stërvitur, por dhe për të zhvilluar ndeshjet zyrtare, pasi zgjedhja provizore është transferimi në Pezë-Helmëz.
Sot ka ardhur dhe një tjetër zyrtarizim nga ana e skuadrës së Dinamos, pasi portieri Tedi Laço ka nënshkruar me 18 herë kampionët e Shqipërisë. Në të shkuarën Laço ka qenë pjesë e Besës së Kavajës, Elbasanit, Kukësit dhe së fundmi me Korabin. Përmes një postimi në “Intagram” ka ardhur dhe prezantimi i lojtarit, i cili është formuar si futbollist tek akademia e Dinamos dhe konsiderohet nga ana e klubit si një rikthim në shtëpi.
“Një tjetër produkt i akademisë Blu rikthehet në shtëpi!
Portieri Ted Laço ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit dhe do të jetë pjesë e 18 herë kampionëve të vendit për sezonin e ri.
23-vjeçari më parë ka mbrojtur portën e Besës së Kavajës, Elbasanit dhe Kukësit ndërsa prej vitit 2016 qe titullar i Korabit në Superiore dhe në kategorinë e parë.
Mirë se vjen Ted Laço!”