Dashuria e parë nuk harrohet kurrë. Ardit Hoxhaj është kthyer në Vlorë pas 3 vitesh shtegtim, duke firmosur dhe duke u prezantuar sot.
Në fakt, Sport Ekspres e kishte zyrtarizuar afrimin e sulmuesit që para një jave, lajm i konfirmuar më pas edhe nga trajneri Shpëtim Duro, por sot faqja zyrtare e klubit vlonjat ka publikuar fotot e prezantimit.
Për Hoxhajn është një kthim në shtëpi që shpresohet t’i sjellë fat dhe t’i ndryshojë për mirë karrierën, pas një sezoni të tmerrshëm.
Verën e shkuar Bylisi nuk e lejoi të shkonte në Greqi, ku kishte oferta të rëndësishme, por nuk e lejoi të shkonte as në Vlorë, duke ia shitur Skënderbeut.
Hapësirë zero në Korçë, ndërsa në janar huazim te Korabi, edhe pse vetë Hoxhaj dëshironte me ngulm Flamurtarin.
Tani më në fund Hoxhaj shkon në Vlorë dhe 22-vjeçari shpreson të luajë rregullisht e të kthehet fenomeni që duartrokitëm te Bylisi sidomos në sezonin 2015/2016.
Hoxhaj bëhet përforcimi i katërt zyrtar te Flamurtari, pas mbrojtësve Bicaj e Siljanovski dhe portierit boshnjako-kosovar Nurkoviç, i prezantuar dje.
Me Hoxhajn, sulmi kuqezi konsiderohet i kompletuar, gjithmonë nëse Tomisllav Bushiç nuk lëviz, sepse ka disa oferta dhe ende nuk ka rinovuar në Vlorë. Edhe mbrojtja është kompletuar, por mesfusha është bosh, pas largimit të thuajse gjithë titullarëve të sezonit të fundit, duke nisur nga Shkodra e Telushi.