Juventus po bën një ecuri fantastike në këtë fillim sezoni, teksa në dhjetë ndeshje të luajtura mes kampionatit dhe Champions, numëron dhjetë fitore. Bardhezinjtë gjithashtu kishin një merkato mjaft aktive në muajt e verës, ku afruan shumë lojtarë, ndër ta, Kristiano Ronaldo.
“Zonja e vjetër” duket se ende vijon të mendojë për përforcimin e ekipit dhe lëvizjet e fundit dëshmojnë se bardhezinjtë janë me sytë nga e ardhmja. Sipas raportimeve të fundit nga mediat angleze, thuhet se Juventus po bën gati një ofertë në drejtim të Mançesterit, për Markus Rashford. Klubi nga Torino ka gati 65 milionë sterlina për sulmuesin e talentuar anglez.
Markus Rashford nuk ka pasur një nisje të mirë të sezonit me Mançesterin e tij, teksa numëron vetëm dy ndeshje si titullar me fanellën e Junajtid. Talenti 20-vjeçar ka një kontratë me “djajtë e kuq” deri në vitin 2020. Gjithashtu Rashford është dhe pjesë e rëndësishme e kombëtares angleze, ku në ndeshjen e fundit ndaj Spanjës arriti dhe të shënonte në fitoren 2-3.