Nga përfaqësuesja te kampionati, tjetër shembull nga Kosova

0

Në Ligën e Kombeve, Kosova i dha një leksion Shqipërisë, për atë çfarë do të thotë të mbështesësh përfaqësuesen. Ndaj Maltës, impianti “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte i mbushur me kapacitet të plotë, madje aq të “etur” ishin tifozët për të qenë në stadium, sa biletat u shitën vetëm një orë e gjysmë pasi dolën në treg.

Në të njëjtën periudhë, Kombëtarja kuqezi nuk arriti të evitonte tribunat e boshatisura për miqësoren me Jordaninë, ku me 1,500 bileta të shitura, u arrit një prej pikave më të ulëta në histori. Ai ishte një moment për të reflektuar: nga çmimet e biletave të përcaktuara nga federata, te politikat për afrimin e spektatorëve të të gjitha moshave, por edhe për vetë tifozët… për atë çfarë do të thonë realisht ndeshjet e Shqipërisë.

Vetëm pak kohë më parë, nga Dardanët vjen një tjetër shembull për pjesën e shqiptarisë brenda kufijve zyrtarë të shtetit. Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar arbitrat e ndeshjeve të Ipko Superligës dhe Ligës së Parë. Përcaktimi i tyre është bërë publik tre ditë përpara se të luhen ndeshjet, duke lënë të nënkuptohet se gjithçka është transparente dhe nuk ekziston asnjë lloj problemi apo presioni rreth gjyqtarëve përpara ndeshjeve.

Në anën tjetër, në Shqipëri ndodh e kundërta. Nga Kategoria Superiore dhe në nivelet e tjera, arbitrat përcaktohen vetëm 24 orë përpara ndeshjeve dhe është një luks, sepse deri para pak kohësh të mëesoje arbitrat ishte një mision sekret dhe duhej të kishe miq ose spiunë. Të gjithë prisnin një “e-mail” para mesnatës, për të mësuar se ku do të arbitrojnë të nesërmen. Një praktikë e përdorur mbi të gjitha për të ruajtur “xhaketat e zeza” nga presioni, intimidimi apo edhe tentativat për korrupsion të gjyqtarëve nga ana e klubeve.

Ndarja ka qenë tejet sekrete, aq sa emrat e arbitrave dhe asistentëve për ndeshjet e futbollit shqiptar zbuloheshin publikisht vetëm pak orë përpara ndeshjeve. Një metodë që duket e kaluar në kohë. Ndoshta është koha që të reflektohet dhe kjo praktikë të ndryshojë një herë e mirë, mundësisht të zbardhet gjithçka në mesjavë. Sërish Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.