Reali i Madridit u mund të dielën në mbrëmje 1-0 në fushën e Rajo Vajekanos dhe po të ishte ndonjë ekip më cilësor përballë, do të përfundonte shumë më keq.
Në fushë u pa një Real i pafuqishëm, i pamotivuar dhe qartësisht me mendjen gjetkë, në fund të një sezoni të zi.
Kjo paraqitje ka tërbuar trajnerin Zinedin Zidan, i cili pas ndeshjes ishte shumë nervoz, duke shfryrë ndaj lojtarëve të tij si kurrë më parë.
“Nuk bëmë asgjë, nuk luajtëm futboll fare, asnjë tentativë për të shënuar. Jam shumë i zemëruar, sepse një imazh i tillë nuk i lejohet një skuadre si Reali. Duhet të kërkojmë falje. Do ishte mirë që sezoni të mbaronte sa më shpejt”, tha trajneri francez, i cili pret fundin e sezonit për të bërë spastrim.
Një ndër emrat që priten të largohen është ai i Geret Bejlit, për të cilin Zidan tha: “A është i përqendruar? Nuk e di, duhet ta pyesni”.