Trajneri i Tiranës, Ze Maria është gati për aventurën e tij të parë si bardheblu. Ekipi i Tiranës ka lënë po dje kryeqytetin, ndërkohë që vetë trajneri pak orë para mbërritjes në Izrael është shprehur optimist, ndonëse pranon se ekipi i tij luan ndaj një skuadre të madhe. “Jam i emocionuar sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme për klubin, tifozët dhe skuadrën. Do të luajmë ndaj një skuadre të madhe. Kishim pak kohë në dispozicion për t’u stërvitur, por gjithsesi duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë. Nuk kam luajtur asnjëherë në Izrael, por e di shumë mirë forcën që ka kjo skuadër, e cila e mbylli kampionatin e vendin e dytë. Janë mësuar të luajnë në Champions dhe Europa League dhe ne vijmë nga një pjesë e dytë sezoni jo shumë e mirë. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për sezonin tonë sepse do të përballemi me një realitet më të madh se ne”, u shpreh në fillim Ze Maria.
Dy fjalë edhe për sezonin e ri. Braziliani është i bindur se do ta kthejë Tiranën në një skuadër të madhe siç duhet të jenë bardheblutë. “Kemi lojtarë 18 dhe 19-vjeçarë me një potencial të madh. Ky është objektivi ynë, që bashkë me klubin t’i rrisim për të ardhmen e skuadrës. Tirana duhet të jetë një klub i ngjashëm me klubet angleze, italiane dhe spanjolle ku luhet edhe futbolli më i mirë në Europë. Ne këtë vit do të bëjmë këtë program, duke punuar shumë me të rinjtë dhe të arrijmë objektivin tonë kryesor që është rikthimi në Kategorinë Superiore”, mbylli Ze Maria.