Kastrioti po mendon për ndeshjen me Skënderbeun në transfertë dhe trajneri Bledar Devolli i gëzohet faktit që Lukman Husein dhe Edi Bojom nuk kanë probleme serioze. Dy mbrojtësit lanë fushën të dëmtuar në takimin me Luftëtarin, por janë gati për sfidën me korçarët.
Lajmi tjetër i mirë është rikthimi i shkodranit Ersil Ymeraj. Mesfushori ishte i pezulluar me kartonë të verdhë dhe ndaj gjirokastritëve u zëvendësua nga nigeriani Okebugu. Kështu, për stfin teknik të Kastriotit alternativat do të jenë më të shumta të dielën.
Synimi është që të mos dilet pa pikë nga transferta korçare, pasi edhe rivalët nuk kanë përballje të lehta. Tirana, që ka vetëm tre pikë më shumë, luan jashtë me Teutën e përfshirë nga kriza. Luftëtari pret në shtëpi Laçin, por bëhet fjalë për një betejë që pritet të jetë e luftuar. Shpresat për të qëndruar në Superiore janë rritur te Kastrioti dhe këtë javë synimi është që të paktën të ruhet diferenca me rivalët.