Partizani pret titullin kampion prej 26 vitesh dhe një fitore e trofeut në derbi do futej në histori. Kështu mendon Ylli Shehu, ish-sulmuesi i “demave të kuq”. Ai thekson në një prononcim për RTSH se të kuqtë për shumë arsye nuk mund të tolerojnë.
Fillimisht ai flet për rëndësinë që një derbi: “Kënaqësia e kampionatit shqiptar është derbi, ku janë të gjitha brenda. Është një ndeshje që pritet shumë. Tifozët e Partizanit dhe stafi duan ta mbyllin titullin sa më shpejt, nëse arrihet në derbi është kënaqësi e madhe. Ana tjetër është që Tirana do pikë për të mbijetuar. Futbolli i tillë është, shkon në finale të Kupës dhe lufton për mbijetesë. Mendoj se do të jetë ndeshje e bukur”.
Shehu thekson se Partizani ka shumë arsye ta fitojë këtë derbi: “Ka shuam kohë që Partizani do titullin. Kanë vite që tifozët e presin këtë titull, ndaj do jetë shumë e kërkuar nga tifozët që të mbyllet që në derbi kampionati”.
Në fund ai thotë: “Të gjithë tifozët, gjithë Shqipëria e përjeton derbin. Nuk është ndeshje e lehtë. Partizani ka qenë superior këto vite, por nuk ka shumë rëndësi derbi para titullit. Është histori po e fituan titullin në derbi. Do kujtohet gjithmonë që Partizani e fitoi titullin në derbi tre javë para fundit të kampionatit. Në këto kushte nuk mund të tolerohet”.