Xhixha në “gjurmët” e Salihit, tani ëndërron edhe Kombëtaren

Fitorja e Laçit erdhi falë dy golave të 19-vjeçarit Redon Xhixha, i cili është formuar si futbollist te Shkëndija e Tiranës, duke dalë golashënues me 27 gola në kampionatin U17, ndërsa me U19 ka realizuar 18 gola. Me kurbinasit shënoi golat e parë në kampionat, ndërkohë që kish shënuar më parë pesë gola ndaj Sopotit në Kupë.

Për Supersport ai tha: “E shtyva topin në rrjetë, por ishte jashtë vijës fatale. Ishte një fitore e shkëlqyer, falënderoj shokët për ndeshjen e mirë dhe për pasimet. Falënderoj edhe tifozët, të cilët në fakt sot nuk ishin të shumtë, ndaj u bëj thirrje që të vijnë sa më shumtë. Modelet që ndjek? Nga sulmuesit e huaj më pëlqen Levandovski, ndërsa nga shqiptarët Salihi”.

Pasi largohet nga kamerat, Xhixha tregon për “Sport Ekspres” edhe ëndrrën e tij për të luajtur me Kombëtaren. “Kam shënuar shumë gola me moshat, por në asnjë moment nuk jam ftuar në Kombëtaret e moshave. Tani luaj në Superiore dhe shpresoj që të provoj të luaj me Shpresat. Do punoj fort te Laçi dhe më pas do pres momentin tim”, tha sulmuesi 19-vjeçar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *