Xhengiz Ynder ka marrë një ofertë për kontratë të re nga Roma. Mesfushori i avancuar, i blerë nga Bashakshehir, zhvilloi një sezon të mirë vjet dhe klubi italian ka menduar t’ia shpërblejë disi. I blerë për rreth 14 milionë euro, Ynder paguhet më pak se 1 milion euro në sezon.
Menaxheri Fali Ramadani po bisedon prej kohësh me klubin italian, por sipas asaj që raporton “Gazetta dello Sport” ka mbetur gjithçka te klauzola e largimit. Ynder kërkon që të vendoset një shifër që të mos e nxjerrë atë nga tregu.
Sikurse kuptohet, dëshira e tij është që të largohet nëse një klub i madh e do dhe është i gatshëm të paguajë për të. Së fundmi është lakuar si klub i interesuar Bajerni i Mynihut. Kontrata aktuale e Ynder me Romën përfundon në fund të qershorit të vitit 2022.
RINOVIMI ME XHEKON – Edin Xheko është një tjetër lojtar me të cilin Roma po bisedon për rinovimin e kontratës. Sulmuesi boshnjak ka oferta nga disa klube, ndërkohë që nga ana tjetër verdhekuqtë po shohin edhe për një pasues të tij.
Boshnjaku është tashmë 32-vjeç, por kjo se ka ndalur Romën t’i ofrojë një kontratë të re deri në vitin 2021 sulmuesit. Sipas “Gazetta dello Sport” në javët e ardhme pritet të mbyllet gjithçka me sukses dhe palët të zyrtarizojnë bashkëpunimin edhe për tre vitet e ardhshme.
TË DËMTUARIT – Roma humbet dy lojtarë për shkak dëmtimesh. Diego Peroti, mesfushori i verdhekuqve, ka pësuar një dëmtim që do ta lërë jashtë fushave të blerta për të paktën tre javë. Edhe Rik Karsdorp, mbrojtësi i majtë, do të duhet të pushojë për disa ditë. Mjekët i kanë rekomanduar të qëndrojë për rreth 10 ditë larg fushave të blerta.
Gjatë 3-4 javëve të ardhshme Roma do të ketë disa ndeshje, teksa do të përballet me Spal, Napolin, Fiorentinën dhe Sampdorian në kampionat. Gjithashtu do të luajë në Champions kundër CSKA-së së Moskës.