Edin Xheko është një nga pikat më të forta të Romës, me të cilët ka një kontratë deri në verën e vitit 2020. Sulmuesi boshnjak ka mbetur i lidhur me futbollin anglez dhe nuk përjashton mundësinë e rikthimit në Premier Ligë, të cilën e ka fituar dy herë me Mançester Sitin, ku shënoi 72 gola në 189 ndeshje.
Xheko ishte një hap larg kalimit te Çelsi në janarin e kaluar, por në fund vendosi të qëndronte në kryeqytetin italian. 32-vjeçari ka folur për “Sky Sports”, duke i shkelur syrin Premier Ligës.
“Kam kaluar katër vite e gjysmë të madhërishme në Angli, duke shijuar çdo minutë të gjitha ndeshjeve. Ndoshta është tepër vonë për t’u rikthyer atje, edhe pse nuk i dihet kurrë. Për momentin, jam i lumtur te Roma”, thekson gjiganti i Romës, në një prononcim që nuk është se do i pëlqejë shumë tifozëve verdhekuq.