Xhambazi: Ky, Skënderbeu më i dobët! Ndeshje vendimtare me Laçin

Ka gjashtë ndeshje radhazi që skuadra e Skënderbeut vetëm ka humbur, një tregues ky që tregon situatën jo fort të mirë të skuadrës korçare në këtë sezon. Nisja ishte e mirë shumë mirë, por vazhdimësinë e ka me tregues negativë.

Për SportEkspres.com, këtë gjendje të Skënderbeut e zbërthen ish-sulmuesi korçar Dhimitraq Xhambazi. Ai i referohet më shumë anës të dobët psikologjike, pasi sipas tij, skuadra ka në përbërje elementë e mbështetje që nuk duhet të ishin në këtë pozicion në renditje.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Janë luajtur dy ndeshjet e para të fazës së tretë, si e përshkruan situatën te skuadra e Skënderbeut?
-Jo vetëm në këto dy ndeshje, por në gjashtë ndeshje radhazi Skënderbeu ka pësuar vetëm humbje dhe ka çuar dëm 18 pikë. Me këtë situatë unë mendoj se ky është Skënderbeu më i dobët në 10 sezonet e fundit. Vetë rezultatet e tregojnë qartë.

Cilat i mendoni si shkaqet kryesore që e kanë çuar Skënderbeun në këtë situatë?
-Mendoj se shkaqet e kësaj situate janë më shumë brenda vetë skuadrës, por edhe gjyqtarët e kanë penalizuar Skënderbeun. I referohem ndeshjes së fundit me Kastriotin. Gjithsesi, vendimtare mbetet puna që duhet të bëjnë trajneri me stafin e tij për ta kaluar këtë situatë.

Dhe ju si e mendoni se skuadra e Skënderbeut duhet të dalë nga kjo situatë?
-Këtë më mirë e dinë vetë drejtuesit e trajnerët, por unë mendoj se ndeshja me Laçin në javën e 21-të është vendimtare për të bërë kthesën. Si moment i parë mendoj se skuadra duhet të përmirësojë anën psikologjike dhe prej këtu duhet të vijë ndryshimi me fitore ndaj Laçit.

Po situatën në tërësi në Kategorinë Superiore, si e shikoni?
-Në raport me 18 ndeshjet që u luajtën gjatë vitit 2018, në dy ndeshjet e fazës së tretë që janë luajtur gjatë janarit 2019, shikoj se më mirë janë shfaqur skuadrat e zonës për mbijetesë, Kastrioti e Luftëtari. Ndërsa në krye, Partizani e Kukësi nuk po lëshojnë me fitoret e tyre.

Edhe pse nesër luhen ndeshjet e turit të dytë të Kupës, ju si i parashikoni ndeshjet e javës së 21-të të Superiores që do të luhen në fundjavë?
-Nuk mendoj se do të ndikojnë ndeshjet e Kupës tek ato të javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Janë të gjitha ndeshje të vështira. Nëse do të nisemi nga renditja, favorite janë skuadrat pritëse: Partizani, Kukësi, Luftëtari, Teuta e Skënderbeu, pa përjashtuar ndonjë surprizë.

Dhe ju në cilën ndeshje prisni surprizën në javën e 21-të?
-Futbolli është i paparashikueshëm, sepse surprizat prodhohen gjatë lojës. Në ndeshjet Luftëtari-Flamurtari dhe Kukësi-Tirana mund të kemi ndonjë rezultat ndryshe nga pritshmëritë. Në të tjerat unë u jap prioritet skuadrave që janë pritëse në këtë javë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *