Zv. trajneri i Tiranës, Erion Xhafa foli për “Supersport” pas ndeshjes me Laçin, ku i preku të gjitha temat. Nga penalltia e humbur, deri te kapriçiot e disa lojtarëve, Xhafa foli pa doreza. Në fjalën e tij, numri 2 i stolit tha:
PENALLTIA – “Është e vërtetë, përveç se mund të vulosej fitorja, ka dhe një ndikim jo të mirë te skuadra. Kërkonim qetësi dhe nuk na erdhi asnjëherë kjo qetësi. Skuadra kaloi disi në aventurë, tentuan të bënin golin e sigurisë dhe i liruam terren kundërshtarit prapa”.
GOLI I PËSUAR – “Pësuam gol në goditjen e parë. Në mos gaboj, është minuta e 99 dhe janë dhënë 6 minuta shtesë. Justifikimi i arbitrit ishte që 2 minuta është vonuar loja, por prapë u luajt një minutë më shumë. Megjithatë, nuk duhet të gjejmë justifikime, por duhet të ishim më të ekuilibruar në minutat e fundit. Ishim të shpëqendruar, 5-6 minuta nga fundi nuk kishim pse të kalonim në aventurë. Ndeshja ishte 1-0 për ne dhe nuk është se na u desh goli në minutat e fundit”.
GJYKIMI – “6 minuta shtesë m’u dukën të ekzagjëruara, megjithatë nuk e komentuam shumë. Minutat po kalonin dhe nuk po mbyllej ndeshja. Në kampionatin shqiptar, kemi parë lloj-lloj manovrash, por ne nuk duhet të merremi me këto gjëra. Nuk duhet të merremi me pjesën e komploteve e ku di unë”.
MBROJTJA – “Nuk besoj se një episod e vë në diskutim repartin e mbrojtjes tonë. Kemi shumë ndeshje që jemi në ekuilibër. Goli i pësuar ishte gabim vendosja e mbrojtësit të djathtë. Duhet të ishim më poshtë si skuadër, kishim vetëm katër mbrojtës mbrapa në sekondën e fundit”.
KAPRIÇIOT – “Kjo bën dallimin e një lojtari të madh me një të vogël. Në situata të caktuara, duhet ta kuptosh ku lejohesh të bësh finte e ku jo. Nuk mund të them kapriçio, pasi nuk dua të ndikoj te lojtarët dhe t’i vendos në faj. E kemi pak problem si skuadër, nuk jemi cinikë aq sa duhet. Në shumë ndeshje, e kemi humbur në minutat e fundit”, përfundoi Xhafa.