“Vullkani” Cungu: Ndërhyrje brutale ndaj nesh, Kukësi s’ka asnjë aleat

Armando Cungu është hedhur në sulm. Trajneri i Kukësit, gjatë konferencës së sotme për shtyp, foli për situatën në ekipin e tij dhe theksoi se ndaj verilindorëve luhet shpesh shumë ashpër dhe arbitrat i kanë penalizuar duke mos u dhënë penallti. Ai foli edhe për golin e Pollozhanit në Vlorë dhe për shumë çështje të tjera.

SITUATA NË EKIP – “Bëmë disa eksperimente në Kupë me formacionin dhe modulin. Ishte edhe e detyrueshme duke ditur që na duhej kualifikimi. Nuk do thoja që e arritëm në vështirësi, 2-0 është rezultat i pastër. Dominuam në të dyja ndeshjet, nuk rrezikuam kualifikimin. Ata vetëm na e bënë të vështirë të shënonim. Sa i takon Tiranës, na duhen tre pikët. Objektivi ynë është që të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Jemi stërvitur mirë dhe tani na duhen pikët. Ka ikur koha e lojërave të bukura e pa rezultate, pikët kanë rëndësi”.

VALDET RAMA DHE SULMI – “Nuk ka nevojë për reklamë, emri dhe karriera flasin vetë. I duhet pak kohë të kapë ritmin dhe të ambientohet. I duhet dhënë pak kohë. Nuk ka ndonjë gjë për të shqetësuar. 4-4-2 e kemi provuar edhe më parë. Rrethanat e lojës të bëjnë të luash ashtu. Nuk është e thënë se do e nisim dhe do e mbarojmë me një sistem loje. Kjo varet nga kundërshtarët.

DIFERENCA ME KUNDËRSHTARËT – “Nuk kam arsye të jem i tensionuar. Gara është e gjatë do punojmë njëlloj. Pesë pikë duken shumë, por nuk do të jenë asgjë. Më keni pyetur edhe kur kundërshtari ka qenë 11 ose 12 pikë dhe quhej kampionati i mbyllur e nuk flitej për rivalitet. Në fakt e mbyllëm me tre pikë. Siç gabuam ne, gabuan edhe ata. Me rëndësi është të jemi të qetë dhe të vazhdojmë njëlloj.

BARDHEBLUTË DHE MODULI – “Tirana është një ekip tjetër këtë vit, është më atraktive dhe e qetë. Po merr edhe rezultate. Gjithsesi kjo nuk na fut në presion apo siklet, apo të kemi frikë nga kundërshtari. Të gjithë janë të njëjtë, tre pikë vlen çdo ndeshje. Duhet djersijmë fort për të fituar me çdo ekip, ia lëmë fushës, kam besim te djemtë. Sa i takon sistemit të lojës, nesër do të vendosim përfundimisht. Kushdo që luan do japë më të mirën për grupin. Këtë e kemi bërë edhe herët e tjera dhe do e bëjmë nesër”.

ETHEMI – “Ai ka bërë një kampionat shumë të mirë, ka ardhur në rritje. Me të drejtë e evidentoni dhe do vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e ekipit. Do na ndihmojë. Po gëzon moment të mirë dhe besoj tek ai. Do të jetë titullar dhe shpresoj të vazhdojë të shënojë, pasi javët e fundit ka rezultuar efikas për ne”.

DËMTIMET – “Shqetësuese mund të jenë dëmtimet në stërvitje, jo në ndeshje. Normalisht për mua si trajner janë problem, pasi kemi nevojë t’i kemi të gjithë të gatshëm për të kontribuar për ekipin. Kur kundër Kukësit ka ndërhyrje brutale, luhet një futboll shumë i ashpër, kjo nuk është pjesë më e shqetësimit të trajnerit, është e futbollit, pjesë e atyre që duhet të zbatojnë rregulloret me përpikmëri. Jo pak herë kemi vuajtur prej ndërhyrjeve të ashpra”.

ANGAZHIMI I KUNDËRSHTARËVE – “Kush më njeh, e di që jam i drejtpërdrejtë. Nuk kam parë se është favorizuar apo ndihmuar Kukësi, përkundrazi kam parë një egërsi, një ashpërsi nga çdo ekip që tenton të japi maksimumin kundër Kukësit. Ndoshta kjo pyetje do t’i shkonte më për shtat ekipeve të tjera, sepse realisht ndryshe sillen me ne dhe ndryshe sillen me kundërshtarët tonë. Këtu nuk bëhet fjalë për një ekip, por bëhet fjalë për disa ekipe. Por, siç thashë edhe më përpara, ajo që na takon ne si klubi i Kukësit dhe mua si trajner është që të bëjmë më të mirën e mundshme në stërvitje dhe këtë gjë ta shprehim në fushën e lojës. Kjo është puna ime dhe marr përsipër dhe kam në dorë për të bërë. Pjesa tjetër nuk më takon mua dhe nuk jam unë ai që i duhet të gjykojë të tjerët për këtë punë”.

TENDENCË KUNDËR NGA ARBITRAT – “Nuk mund ta them këtë përfundimisht. Unë shpreh diçka që është e dukshme dhe besoj se edhe ju e keni parë. Kemi pasur shumë dëmtime prej ndërhyrjeve brutale, të cilat kanë qenë kundër nesh të disa ekipeve dhe jo vetëm të një ekipi. Sikurse edhe në ndeshjen e fundit në Vlorë. Më vjen shumë keq, gjithkush ka mendimet e veta dhe unë i respektoj çdo mendim. Jemi në demokraci dhe gjithkush ka të drejtë të flasë në mënyrën e tyre të të parit të gjërave. Por që të flasë një profesionit në mënyrë të drejtë është e pakuptueshme, që të thotë se goli i Vlorës ishte i rregullt. Po i kthehemi edhe një herë pyetjes që më bëre. Kur rregullorja e thotë shumë qartë që është lojë e rrezikshme, aq më tepër që kur lojtari ynë rri tre minuta i shtrirë dhe ne nuk dimë të aktrojmë. Ne e kemi problem që edhe të vonojmë lojën kur është në favorin tonë, sepse nuk dimë të shtrihemi në tokë kot. Por dimë të luajmë futboll. Çudia më e madhe dhe qesharake ka qenë kur kanë thënë se ishte një gol i bukur dhe nuk duhej anuluar. Nëse ka rregullore që thuhet se gola të tillë quhen atëherë ma tregoni sepse unë nuk e di”.

“Goli ishte i parregullt dhe është anuluar me të drejtë prej arbitrave, sikurse ka edhe unë kam ankesat e mia përsa i përket ndërhyrjeve të ashpra. Kam një respekt të veçantë për lojtarin Batha, për atë që ka dhënë, por ishte më agresiv sesa duhet dhe për mendimin tim dhe ishte një nga lojtarët që duhet të dilte dhe me karton të kuq dhe kjo u fal prej arbitrit. Pas tre ndërhyrjeve të ashpra nga mbrapa ka marrë vetëm një karton të verdhë. Ankesat duhet të jenë në krahun tim dhe jo në krahun e kundërshtarit, gjithsesi këto nuk janë pjesë që na takojnë ne. Thjesht duhet të bëjmë punën tonë dhe mos të merremi me gjëra që nuk ja vlejnë, sepse nuk janë në dorën tonë. Kukësit i janë mohuar penallti shumë dhe gola të rregullt dhe vetë ju gazetarët e keni paraqitur dhe ne nuk jemi ankuar asnjëherë. Janë favorizuar edhe kundërshtarë tanët në ndeshjet direkte”.

MALIKI DHE UILLIAM– “Jam i shqetësuar jo vetëm për ta, por për çdo lojtar. Jam i shqetësuar për prurjet, që duhet të harmonizohen me skuadrën sa më shpejt të jetë e mundur. Janë jo pak dhe duan kohën e tyre. Por futbolli nuk të jep kohë. Ekipi është në fazë të shëndoshë dhe shpresoj shumë të marrim rezultate pozitive.

ALEANCAT – “Nuk dua të komentoj për ekipet kundërshtarët, edhe pse ndonjë e bën këtë gjë. Flas për ekipin tim dhe e mbrojtja. Ju thashë që Kukësi është penalizuar, edhe pse nuk u ankova. Nuk kemi asnjë aleancë dhe do të luajmë kështu deri në fund”.

FUSHA – “Di që drejtuesit e kanë bërë atë që kanë mundur. Kanë ndërhyrë për të bërë punime dhe ka ardhur në këto parametra. Është bërë diçka. Kukësi mundohet të luajë futboll, kurse kundërshtarët po t’i shkëputin një pikë Kukësit është fitore e madhe për ta. Kjo na penalizon ne si ekip”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *