Vllaznia u ndal të shtunën në transfertë me Shënkollin dhe tani po mendon për ndeshjen e radhës në shtëpi me skuadrën e Vorës. Kuqeblutë kanë si objektiv të vetëm fitoren në këtë takim dhe do të bëhet maksimumi që ndeshja të zgjidhet sa më shpejt.
Për trajnerin Hasan Lika grupi është edhe më i plotë. Portieri Erind Selimaj është rikuperuar dhe do të jetë i gatshëm për stafin teknik. Sigurisht për të luajtur duhet të fitojë konkurrencën me Alen Sherrin, i cili që sezonin e shkuar në Superiore fitoi vendin e titullarit.
I gatshëm është edhe Renato Malota. Qendërmbrojtësi lezhjan ka dalë në stërvitje me skuadrën dhe do të jetë gati për lojë ndaj Vorës. Vllaznia kryeson grupin A të Kategorisë së Parë me 19 pikë të grumbulluara, ndërkohë që Dinamo ndjekëse ka pesë pikë më pak.