Vllaznia largon jabanxhinjtë, a ishte vërtet faji i tyre?

Festa pas ndeshjes së barazuar kundër Tiranës ishte legjitime, sepse ta themi troç, Vllaznia nuk e ka luksin të jetojë me lavdinë e dikurshme dhe nëse mes 1000 vështirësish arrin të evitosh katastrofën e shekullit, atëherë suksesi duhet festuar. Ishte një finale mbijetese që u luajt më shumë jashtë fushe, se brenda saj, sepse gjatë gjithë javës deri në ditën e ndeshjes u fol për divorcin me Elis Bakajn, dëmtimin e Endri Vrapit dhe mënjanimin e gjithë jabanxhinjve të tjerë te Vllaznia. Në fakt, sulmi ndaj lojtarëve që nuk janë nga Shkodra kishte filluar më herët, mjafton të kujtohet shpërthimi në akuza i Cungut në Korçë, i cili në mënyrë joprofesionale akuzoi dhe përmendi emra lojtarësh, duke u ndalur te Cicmil e Agoviç, ndërkohë që në gjaknxehtësinë e ndeshjes duhej të mos fliste fare, t’i zgjidhte gjërat brenda familjes dhe jo në lidhje direkte në televizion. Gjithçka mbaroi me dy malazezët? Pothuajse, sepse tashmë të gjithë jabanxhinjtë janë larguar dhe duket si një operacion “fshesa”, që është pasur edhe nga reagimet e shumta të ish-futbollistëve apo specialistëve të futbollit, që kërkojnë një Vllazni krejt shkodrane. Por a ka Vllaznia grup aq të fortë sa ta përballojë pa asnjë jabanxhi kampionatin? Vështirë, po të mendosh që vetëm Shtubina e ndonjë tjetër kanë eksperiencë, ndërsa Bakaj shënoi në pak muaj sa gjithë skuadra së bashku pothuajse. Nëse Bakaj, Vrapi e Bicaj ishin në nivel të lartë dhe të tjerët zhgënjyen, atëherë nuk është çështja a vlejnë jabanxhinjtë, por a është i aftë klubi të bëjë merkaton e duhur?

Jasmin Agoviç – Luajti 22 ndeshje, deri më 25 shkurt të këtij viti. Gaboi paksa ndaj Skënderbeut, me një gol të pësuar që në fakt nisi nga gafat e mbrojtjes, por që aty Cungu i bëri dalje dhe nuk e aktivizoi më. Malazezi 26-vjeçar u mënjanua pa zhurmë, por në Korçë Cungu zbrazi nervat, duke e sulmuar ashpër e duke e kritikuar për sjellje jo serioze e aspak profesioniste. Në fakt, derisa luajti, hiq ndonjë gabim herë pas here, kishte regjistruar edhe ndeshje shumë të mira. Nuk ishte fenomen, por edhe aq nuk dukej.

Ditmar Bicaj – Para pak kohësh, në eufori e sipër, e quajtën “shkodran”, por mbrojtësi shtatlartë tashmë është larguar. Në Shkodër e kishin një pikë kyçe, aq sa luajti 29 ndeshje si titullar, duke pasur nivel të lartë e duke bërë edhe ndonjë gabim, por kush nuk bën në Superiore? Tashmë flitet se e do Flamurtari, çka do të thotë se Bicaj nuk është fare pa vlerë.

Stefan Cicmil – Dihet tashmë historia e tij: vjet në verë Vllaznia bëri gjithçka për ta mbajtur, pas një sezoni të shkëlqyer, por këtë sezon diçka ka ndodhur dhe mbrojtësi nga Podgorica është kthyer në armik. Ka pasur probleme fizike dhe ato e lanë jashtë në shumë ndeshje, por gafa e bërë në Korçë u konsiderua e qëllimshme nga të gjithë dhe u fut në listën e zezë, aq sa Cungu e sulmoi ashpër në intervistën pas ndeshjes.

Landri Mulemo – Gabimi i madh i klubit shkodran, që e mori kundër dëshirës së Cungut. Kur një trajner e thotë publikisht që nuk i shërben një lojtar, atëherë klubi duhet të ndryshojë vendim. Nuk e bënë, paguan disa mijëra euro, belgu 30-vjeçar luajti vetëm 257 minuta në Shkodër dhe askush nuk do ta mbajë mend.

Endri Vrapi – Në moshën 35-vjeçare, mbrojtësi veteran ka treguar një nivel të lartë loje dhe ka bërë detyrën si profesionist, duke dhënë maksimumin, si kur ka luajtur 22 herë si titullar, edhe ashtu kur e ka nisur nga stoli. Mungoi në ndeshjen e fundit, por nuk u konsiderua armik, pasi rezultoi se kishte dëmtim. Pa të, vështirë se mbrojtja shkodrane do të kishte të njëjtin soliditet.

Brunild Pepa – 16 ndeshje, shumica nga stoli, asnjë gol në kampionat, Pepa nuk u duk asnjëherë lojtari i duhur për të zgjidhur hallet e Vllaznisë në sulm. Vinte nga një sezon i mirë në Ballsh, por në Shkodër luajti vetëm 9 ndeshje nga fillimi.

Elis Bakaj – 14 ndeshje, 1182 minuta, 6 gola, shumica vendimtarë. Përtej golave, sulmuesi i afruar në fund të janarit bëri vërtet diferencën. Shkodranët e pritën me skepticizëm, më pas e dashuruan, në fund e ofenduan sepse nuk mund të luante një ndeshje “vdekjeje” kundër Tiranës. E sulmuan jo pak, por nëse ndeshja u fundit u kthye në një finale mbijetese, ndoshta ka meritë Bakaj, sepse pa të renditja mund të ishte më dramatike dhe ai barazim mund të vlente zbritjen nga kategoria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online