Nëse Roma nuk po fiton, Edin Xheko po bën një gjë të tillë. Ai fitoi çmimin “sportisti më i mirë boshnjak i vitit” duke mposhtur konkurrencën e Ivan Klepiç (karateist ) dhe Mesud Pezher (hedhës gjyle). Futbollisti nuk mund të merrte pjesë ne ceremoni për shkak të impenjimeve me klubin roman.
Megjithatë, ai dërgoi një mesazh gjatë mbrëmjes, duke u shprehur se ndihet “krenar për çmimin e marrë”. Sezoni i kaluar ka qenë fantastik për Romën, pasi klubi nga kryeqyteti arriti deri në gjysmëfinalen e Champions Ligës. Verdhekuqtë eliminuan Barcelonën në çerekfinale, duke i befasuar të gjithë dhe nuk ia dolën për fare pak të preknin finalen e madhe.
Bomberi shënoi 16 gola në kampionat gjatë sezonit të kaluar, ndërkohë që ka shënuar dhe 15 gola në total në Champions me Romën, duke u bërë golashënuesi i dytë më i mirë në Champions i historisë së klubit kryeqytetas (sipër tij ndodhet Françesko Toti me 17 gola).
“Vullneti, lufta, dëshira dhe trishtimi: ky ishte viti im. Nëse do më thonin që do luaja në gjysmëfinalen e Championsit, natyrisht do kisha qeshur. Në fund u trishtova, sepse ne mund të shkonim në finale, nëse nuk do të ishin bërë ca gabime”, shprehet 32-vjeçari i Romës në mesazhin e tij.