Enea Koliçi është votuar futbollisti i muajit prill nga shoqata “Sporti na Bashkon”, teksa gazetarët sportivë kanë vlerësuar paraqitjet e portierit të Flamurtarit më shumë se golat e shënuar nga Ismail Dunga dhe Redon Xhixha respektivisht me Luftëtarin dhe Laçin.
“Gardiani” i Flamurtarit vazhdon të mbetet një ndër portierët më të mirë në qarkullim në Kategorinë Superiore dhe këtë e tregoi më së miri në muajin prill, ku ishte protagonist i disa takimeve me skuadrën vlonjate.
Ndaj Kukësit ai ishte protagonisti kryesor, duke ndalur shumë gjuajtje të rivalëve drejt portës së tij. Është e sigurt që dhe sezonin tjetër interesi i klubeve shqiptare për portierin pogradecar do të jetë i lartë, pasi 33-vjeçari nuk po tregon aspak shenja plakjeje.