Menaxheri i Skënderbeut, Gerhard Takaj, në një intervistë publikuar sot në “Sport Ekspres” deklaronte se ditët e ardhshme me korçarët do të bashkohen edhe 2-3 lojtarë të nivelit të lartë, ndërsa pritet një goditje e madhe.
Ndoshta nuk është kjo goditja e madhe, por lajmi se Afrim Taku është i Skënderbeut përbën një “bombë” për tregun shqiptar të futbollit.
Nga Sllovenia, drejtuesit e Skënderbeut pohojnë se Taku ka pranuar ofertën dhe është zyrtarisht përforcimi i radhës për ish-kampionët e Shqipërisë, që po përgatiten për pjesëmarrjen në Europa League.
Sezonin e fundit mesfushori 27-vjerçar shënoi 9 gola në 34 ndeshje kampioni për Tiranën, duke qenë një zbulim edhe si rol, sepse luajti shumë më i avancuar se në të kaluarën, duke u transformuar në shënuesin më të mirë për skuadrën bardheblu.
Tani Skënderbeu ka arritur ta bëjë të vetin, edhe pse fillimisht mendohej se Taku do të largohej përfundimisht drejt Amerikës. Tani mesfushori do të shkojë në Amerikë vetëm për të rinovuar dokumentet amerikane dhe do të jetë në dispozicion të Skënderbeut.