Emiljano Vila e ka mbyllur me Superioren. Mesfushori i cili në janar kaloi nga Partizani te Skënderbeu, është larguar prej korçarëve dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Greqi me skuadrën e Kërkyrës (Korfuzit) sipas Supersport.
Korçarët raportuan një ditë më parë se mesfushori nuk do të ishte në këtë ndeshje, por nuk jepeshin sqarime të tjera. Edhe në ndeshjen e Superkupës durrsaku nuk luajti për Skënderbeun.
Vila te Kërkyra ka qenë edhe në vitin 2015, por qëndroi pak kohë, pasi mori një ofertë nga Inter Baku (Keshla quhet sot) në Azerbajxhan dhe u transferua atje. Tanimë do të rikthehet sërish në Greqi, ku më parë është aktivizuar me Pas Janinën.
Sezonin e shkuar Vila u largua si i panevojshëm nga Partizani, por në pjesën e dytë të sezonit u paraqit mirë në Korçë dhe mendohej se do të ishte pikë kyçe në sezonin e ri, por tani vjen transferimi surprizë në Greqi. Kërkyra sezonin e shkuar u rendit në vendin e parafundit në Superligë, ndaj këtë sezon kërkon rikthimin në elitë.